

Tragjedi në Grand Blanc, sulmuesi qëllon mbi besimtarët dhe i vë zjarrin kishës, më pas vritet nga policia.
Një ngjarje e përgjakshme ka tronditur qytetin Grand Blanc në Michigan të dielën paradite. Gjatë një shërbese fetare në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, një person i armatosur ka sulmuar besimtarët, duke shkaktuar një tragjedi me katër të vrarë dhe tetë të plagosur.
Autori i sulmit, Thomas Jacob Sanford, 40 vjeç nga Burton, hyri në kishë me makinën e tij rreth orës 10:25, hapi zjarr me një pushkë automatike ndaj të pranishmëve dhe më pas i vuri flakën godinës. Vetëm pak minuta më vonë, ai u neutralizua nga policia në parkingun e kishës.
Shefi i policisë së Grand Blanc Township, William Renye, bëri të ditur se dy nga viktimat u vranë nga plumbat e sulmuesit, ndërsa dy të tjerë u gjetën më vonë, pa jetë, në brendësi të ndërtesës së përfshirë nga flakët.
Hetimet vijojnë, pasi ende raportohen persona të zhdukur, ndërsa ndërtesa e kishës ka pësuar dëme të mëdha nga zjarri.