

Rama X mbetet sot një figurë që tërheq vëmendje globale, jo vetëm për kurorën që mban, por për imperiumin ekonomik që e bën më të fuqishëm se shumë shtete të botës.
Në botën ku pasuria matet me miliarda, një monark qëndron mbi të gjithë: Rama X i Tajlandës, i njohur me emrin e tij të lindjes Maha Vajiralongkorn. Me një pasuri që kap shifrën marramendëse prej 43 miliardë dollarësh, ai konsiderohet sot monarku më i pasur i globit.
Në fund të shtatorit, tajlandezët patën mundësinë e rrallë ta shohin në publik gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit dhe Muzikës në Bangkok, ku priti tenorin legjendar spanjoll Plácido Domingo.
Rama X zotëron 17 mijë prona, 38 avionë privatë dhe 52 anije të stolisura me ar, që përdoren për ceremonitë tradicionale të vendit. Në garazhin e tij gjenden më shumë se 300 makina luksoze, nga Rolls Royce e deri te Ferrari, duke e kthyer koleksionin në një muze lëvizës të pasurisë.
Por burimi i kësaj perandorie nuk qëndron vetëm te trashëgimia. Mbreti ka trashëguar pasuri kolosale nga babai i tij, Bhumibol Adulyadej, por gjithashtu ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi Birinë e Pasurive të Kurorës, e cila administron mijëra hektarë toke në Tajlandë, me të ardhura të mëdha nga qiratë dhe projektet e mëdha imobiliare.
Përveç pronave, Rama X ka investime të fuqishme në sektorët strategjikë të vendit, si telekomunikacioni dhe energjia, duke treguar një instinkt të fortë për të shndërruar monarkinë në një fuqi ekonomike të pakontestueshme.
I përgatitur për fronin që nga fëmijëria, ai ka studiuar në akademi ushtarake në Australi dhe Britaninë e Madhe, është trajnuar si pilot avionësh luftarakë dhe helikopterësh, dhe ka marrë pjesë në misione të ushtrisë mbretërore. Por ndërkohë që përfaqëson traditën e Tajlandës, ai shpesh kritikohet për stilin e jetës ekstravagante që ndez kontraste mes lluksit dhe spiritualitetit.