

Plani i Trump synon çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një autoriteti tranzitor në Gaza, ndërkohë bombardimet izraelite vijojnë të shkaktojnë me dhjetëra viktima çdo ditë.
Një plan i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, me 21 pika, po shihet si përpjekja më e fundit për t’i dhënë fund luftës shkatërruese dyvjeçare në Gaza. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyah ka shprehur dakordësinë e tij, ndërsa Hamas thotë se ende nuk ka marrë një dokument zyrtar.
Plani, që raportohet se është ndikuar fuqishëm nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, synon të përfundojë luftën që ka vrarë mbi 66 mijë palestinezë dhe plagosur 168 mijë të tjerë që prej tetorit 2023. Ai parashikon largimin e Hamasit nga qeverisja e Gazës dhe krijimin e një autoriteti të përkohshëm tranzitor, të quajtur Gaza International Transitional Authority (GITA), i drejtuar nga teknokratë palestinezë dhe i mbikëqyrur nga një strukturë ndërkombëtare nën drejtimin e SHBA, në bashkëpunim me partnerë arabë dhe evropianë.
Nëpërmjet këtij autoriteti do të sigurohej ndihmë humanitare dhe fondet për rindërtimin e Gazës, me një buxhet fillestar prej 90 milionë dollarësh, në vitin e parë. Hamas nuk do të kishte rol në administrim, por anëtarët e tij do të ofroheshin amnisti nëse pranojnë bashkëjetesë paqësore, ndërsa atyre që duan të largohen do t’u garantohet dalje e sigurt.
Një ndryshim i rëndësishëm nga deklaratat e mëparshme të Trump është pika që thekson se askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza. Banorëve do t’u jepet mundësia të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë atje, ndryshe nga propozimet e hershme të presidentit amerikan që parashikonin spastrime demografike dhe projekte ndërtimi luksoz.
Plani përfshin gjithashtu rritjen e ndihmave humanitare deri në 600 kamionë në ditë, të shpërndara nga Kombet e Bashkuara, Kryqi i Kuq dhe organizata të tjera neutrale.
Megjithatë, nuk ka një afat të qartë se kur Autoriteti Palestinez do të mund të marrë drejtimin, ndërkohë që Izraeli historikisht e ka kundërshtuar përfshirjen e tij në Gaza. Netanyahu ka thënë se është dakord me planin, por duhet të marrë aprovimin e qeverisë së tij, e cila përbëhet nga partnerë të linjës së ashpër që nuk e mbështesin një zgjidhje të tillë.
Trump e prezantoi planin para liderëve të Egjiptit, Katarit, Arabisë Saudite, Turqisë dhe disa vendeve të tjera myslimane, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në Nju Jork. Por, siç ndodhi me Marrëveshjet e Abrahamit, palestinezët kanë pasur pak zë në këto diskutime.
Analistët theksojnë se Netanyahu ka prishur edhe marrëveshje të mëparshme duke vendosur kushte të reja në minutat e fundit, duke hedhur fajin mbi Hamasin për të vazhduar bombardimet. Ndërkohë, sulmet izraelite nuk kanë ndaluar: vetëm në 24 orët e fundit janë vrarë të paktën 50 palestinezë dhe plagosur 184 të tjerë, mes tyre edhe persona që kërkonin ndihmë ushqimore.