

Hetimet zbulojnë konflikt interesi dhe korrupsion në projektin e ndërtimit në fshatin Luzhë, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Byberi
Prokuroria e Posaçme ka zbarkuar në Bashkinë e Tropojës, duke vënë nën akuzë Zyra Islamajn, e cila mbajti detyrën e kryebashkiakes së komanduar pas arrestimit të Rexhë Byberit në shtator 2024. Bashkë me të, i pandehur është marrë edhe ndërtuesi Rrok Gega.
Sipas SPAK, çështja lidhet me ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë, projekt i cili dyshohet se u përdor për interesa personale të Islamajt. Tenderi për këtë vepër u fitua nga Gega, duke ngritur dyshime për korrupsion aktiv dhe pasiv.
Kjo goditje e re ndaj korrupsionit vjen vetëm një vit pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Byberi, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik prej 2.7 miliardë lekësh të vjetra. Tropoja gjendet sërish në qendër të vëmendjes, teksa hetuesit e SPAK thellojnë hetimet për abuzimet në administratën vendore.