

Me 89.5 pikë nga KED, juristi lë pas Naureda Llagamin dhe Florian Ballhysën; nis gara për kreun e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata e Lartë ka përzgjedhur sot anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke mbyllur vakancën e krijuar pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt. Në garën mes emrave të spikatur të drejtësisë, fitues doli Asim Vokshi.
Vokshi ishte renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me 89.5 pikë, duke lënë pas ish-kryetaren e KLGJ-së, Naureda Llagamin (89.3 pikë), si dhe Florian Ballhysën (77.83 pikë), ish-komisioner publik i Vettingut. Pas tyre renditeshin edhe Alma Faskaj, Genta Tafa dhe Alban Toro, por emrat e tyre nuk u morën në konsideratë për këtë raund.
Me votën e 3/5 e gjyqtarëve të pranishëm, emërimi i Vokshit u vulos, duke e bërë atë pasuesin e Holta Zaçajt në Kushtetuese. Tashmë, pritet që të nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj gjykate, duke e futur institucionin në një fazë të re vendimmarrjeje.