

Nga Guterres te Lula da Silva, shumica e liderëve botërorë kërkojnë fundin e masakrës; vetëm SHBA dhe disa aleatë vazhdojnë ta mbrojnë Tel Avivin
Sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (23–29 shtator) u shënua nga përplasje të forta politike mbi luftën e Izraelit në Gaza. Kryeministri Benjamin Netanyahu u përball me bojkot, ndërsa delegacione nga vende të ndryshme braktisën sallën në shenjë proteste gjatë fjalës së tij. Jashtë selisë së OKB në Nju Jork, turma të mëdha demonstruesish mbushën rrugët duke kërkuar drejtësi për palestinezët.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e quajti këtë konflikt më shkatërrimtarin që ka parë gjatë mandatit të tij, duke përmendur edhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që i kërkojnë Izraelit të parandalojë gjenocidin dhe të garantojë qasje humanitare.
Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, foli i pari, siç e ka tradita, duke e cilësuar Palestinën shembullin më të qartë të përdorimit disproporcional dhe të paligjshëm të forcës. Ai paralajmëroi se populli palestinez rrezikon të zhduket, nëse nuk arrin një shtet të pavarur e të pranuar ndërkombëtarisht.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara, përmes presidentit Donald Trump, mbetën në krah të Izraelit, duke i vendosur kundër valës së gjerë të kritikave ndërkombëtare.
Pjesa më e madhe e liderëve botërorë kërkuan menjëherë armëpushim dhe zgjidhje me dy shtete, ndërsa zëri i protestës ndaj Izraelit tingëlloi më i fortë se kurrë në sallën e Kombeve të Bashkuara.