

Ish-deputeti demokrat thotë se Berisha është figura e vetme që bashkon opozitën dhe garanton fitoren në kryeqytet
Debati për kandidatin e opozitës në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës mori një kthesë të papritur. Ish-deputeti Dashnor Sula doli publikisht me një propozim befasues: Sali Berisha të jetë kandidati që do të sfidojë Ogerta Manastirliun.
Sipas Sulës, Berisha është i vetmi që mund të përballojë socialistët dhe të sigurojë një fitore historike për opozitën. “Berisha është figura që bashkon të djathtën dhe ngjall shpresën për demokratët. Vetëm ai mund ta mposhtë Manastirliun në Tiranë,” -u shpreh ai.
Sula kujtoi se Tirana ka qenë trampolina politike edhe për Edi Ramën, duke shtuar se një fitore e Berishës në kryeqytet do të sillte një rilindje të opozitës dhe një përgatitje të fortë për zgjedhjet e 2027 dhe 2029.
Ndërkohë që brenda opozitës diskutohet edhe për një kandidat jopolitik, Sula thekson se asnjë tjetër nuk e ka fuqinë e Berishës për të bashkuar strukturat dhe për t’i dhënë betejës elektorale energjinë që i nevojitet.