
Paralizë e institucioneve federale, përplasjet mes republikanëve dhe demokratëve për financimin e sigurimeve shëndetësore
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë nga një mbyllje e pjesshme e qeverisë federale (government shutdown) që nisi në mesnatën e së mërkurës, pasi republikanët dhe demokratët nuk arritën marrëveshje për miratimin e buxhetit.
Ky zhvillim prek drejtpërdrejt qindra mijëra punonjës federalë, të cilëve u ndalen përkohësisht pagat, ndërsa një pjesë e shërbimeve shtetërore do të pezullohen.
Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar shkurtime masive të administratës publike nëse bllokimi vijon.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se ky ngërç mund të godasë rëndë ekonominë, nëse zgjat më shumë. Daniel Hornung nga Stanford Institute for Economic Policy Research deklaroi se tregu i punës është i brishtë, ndërsa tarifat e reja kanë mbajtur gjallë rrezikun e inflacionit.
Michael Klein, profesor në Tufts University, thekson se punonjësit e papaguar do të pezullojnë shpenzimet, sidomos për mallra të mëdha, duke ndikuar menjëherë në konsumin e brendshëm.
Ndërkohë, përplasja politike është zhvendosur edhe online. Demokratët fajësojnë republikanët për bllokimin e financimeve për shëndetësinë dhe programin “Obamacare”, ndërsa republikanët akuzojnë të majtën për kërkesa të papranueshme.
Departamenti i Strehimit dhe Zhvillimit Urban publikoi në faqen e tij një mesazh që akuzonte Radikalët e Majtë për mbylljen e qeverisë; një veprim i kontestuar ligjërisht, për të cilin është ngritur edhe një padi.
Në të njëjtën kohë, ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, kanë shkëmbyer akuza publike në rrjetet sociale, duke i thelluar më tej ndasitë.