
Një amendament kushtetues i mbështetur nga kryeministri Robert Fico cilësohet si ditë e errët nga organizatat e të drejtave të njeriut
Parlamenti i Sllovakisë ka miratuar një ndryshim kushtetues që kufizon të drejtat e komunitetit LGBTQ+, duke njohur ligjërisht vetëm dy gjini: mashkull dhe femër, si dhe duke ndaluar birësimet për çiftet e të njëjtit seks dhe praktikat e shtatzënisë përmes nënave surrogate.
Amendamenti u miratua pas një votimi të ngushtë, ku disa deputetë të opozitës u bashkuan me shumicën qeverisëse. Kryeministri Robert Fico e përshkroi vendimin si “një digë kundër progresivizmit” dhe mbrojtje e vlerave tradicionale.
Vendimi ka ndezur polemika të forta në Sllovaki dhe në arenën ndërkombëtare. Amnesty International e cilësoi ligjin si një lajm shkatërrues, ndërsa aktivistët vendas paralajmërojnë se personat transgjinorë dhe interseks janë goditur drejtpërdrejt, pasi u hiqet çdo mundësi njohjeje ligjore.
“Ky ndryshim na çon më afër Rusisë dhe Hungarisë dhe rrezikon të përplaset me ligjet e Bashkimit Europian,” -u shpreh Martin Macko, drejtues i organizatës Iniciatíva Inakosť.
Presidenti Peter Pellegrini ka paralajmëruar se do ta firmosë amendamentin, pavarësisht kritikave. Kundërshtarët e shohin këtë si një manovër të kryeministrit Fico për të zhvendosur vëmendjen nga kriza ekonomike dhe reformat e ashpra, ndërsa analistët thonë se partia e tij rrezikon përjashtimin nga familja e socialistëve evropianë.
Nga ana tjetër, mbështetësit e qeverisë e përshëndesin ligjin si një hap për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe strukturës tradicionale të familjes.