
Mega-procesi në Namur, zbardh mekanizmin e pastrimit të parave që kalonin nga Belgjika në Shqipëri përmes kompanive fiktive dhe huave familjare
Në qytetin Namur të Belgjikës ka nisur procesi gjyqësor më i madh i viteve të fundit, i njohur si “Sky ECC”, ku në qendër janë dhjetëra shqiptarë të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash. Hetimet nisën pasi autoritetet dekriptuan mesazhet nga telefonat e koduar të përdorur nga rrjeti kriminal.
Në dosje del në pah figura e Alket V., i konsideruar si “truri” i organizatës, që drejtonte nga Spanja prodhimin dhe shpërndarjen e kanabisit në dhjetë plantacione në Belgjikë. Prokuroria e përshkruan si personin që rekrutonte, paguante, organizonte dhe shpërndante tonelata droge, duke gjeneruar shifra të jashtëzakonshme: vetëm një transaksion prej 13 kg në vitin 2020 solli afro 60 mijë euro, ndërsa klientët më të mëdhenj blinin çdo javë deri në 50 kg.
Një prej të pandehurve krenohej se kishte fituar 50 mijë euro në vetëm një orë.
Hetuesit zbuluan se paratë nuk kalonin nëpër banka, por përmes sistemit tradicional hawala, një metodë informale dhe e pakontrollueshme transferimi, e përdorur shpesh nga organizatat kriminale. Fondet dërgoheshin në Shqipëri tek motra dhe kunati i Alketit, për t’u rikthyer më pas në Belgjikë si huatë familjare.
Më tej, paratë investoheshin në pasuri të paluajtshme dhe kompani fiktive ndërtimi, të cilat ekzistonin vetëm në letra, pa mjete pune apo aktivitete reale. Kështu krijohej fasada e ligjshmërisë, ndërsa në fakt qarkulloheshin miliona euro të ardhura nga trafiku i drogës.
Në nëntor 2023, përgjimet zbuluan biseda mes Alketit dhe bashkëshortes për transferimin e 70 mijë eurove përmes hawala, të paraqitura si hua, por që sipas aktakuzës, ishin para të pista.
Prokuroria belgë ka kërkuar 14 vite burg për Alketin, ndërsa procesi “Sky ECC” pritet të zbulojë të tjera lidhje mes krimit të organizuar shqiptar dhe rrjeteve ndërkombëtare të pastrimit të parave.