
Hetuesit belgë mes tre pistave: konflikt kriminal, trafik droge ose vetëvrasje; mediat spekulojnë për stil të karteleve meksikane
Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen Anderlecht të Brukselit, ku autoritetet gjetën trupin e një shqiptari 29-vjeçar, të varur me kabllo elektrike pranë një qendre tregtare, në një zonë të mbuluar me bimësi.
Zbulimi i trupit disa kilometra larg banesës së tij ka ngritur dyshime të forta mbi rrethanat e vdekjes. Policia belge po heton tre pista kryesore: vetëvrasje, përfshirje në një konflikt kriminal ose lidhje me trafik droge.
Pak orë para se të gjendej i pajetë, familjarët dhe miqtë e të riut morën një mesazh të mistershëm nga telefoni i tij ku shkruhej: “Unë po iki në botën tjetër.” Ky fakt i ka shtyrë hetuesit të marrin seriozisht pistën e vetëvrasjes.
Megjithatë, mënyra brutale e gjetjes së trupit ka hapur dyshime për një ekzekutim të simuluar, duke u përmendur madje edhe metoda që i atribuohen karteleve meksikane. Disa media lokale e kanë përmendur këtë version, por gazetari shqiptar në Belgjikë, Fatos Mahmutaj, e ka quajtur të nxituar dhe të padrejtë ndaj komunitetit shqiptar.
“Ka qenë një djalë pa precedentë penalë dhe pa lidhje me botën e krimit. Krahasimet me kartelet meksikane nuk ndihmojnë, por vetëm rëndojnë imazhin e shqiptarëve. Duhet pritur hetimi zyrtar,” – u shpreh Mahmutaj.
Ekspertë të mjekësisë ligjore dhe prokurorë janë angazhuar në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi është marrë për autopsi. Hetimet vijojnë intensivisht dhe autoritetet pritet të bëjnë publik rezultatet në ditët në vijim.