
Operacioni “Kombinimi” shkatërron rrjetin e kultivimit dhe shpërndarjes së drogës; në banesa u gjetën 168 bimë narkotike, lëndë shpërthyese dhe armë të ftohta
Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër aksion të fuqishëm kundër trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje. Në kuadër të operacionit të koduar “Kombinimi”, u zbuluan dy banesa të përshtatura për kultivimin e kanabisit dhe u sekuestrua një arsenal i tërë mjetesh të paligjshme.
Në pranga kanë përfunduar A. T., 53 vjeç, nga Laçi dhe T. T., 27 vjeç, nga Tirana, të dy me precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Ata u kapën në flagrancë në Bathore, duke transportuar 4 kilogramë kanabis me dy automjete, me qëllim shitjen në zona të ndryshme të Kamzës dhe Tiranës.
Kontrolli i policisë zbuloi dimensionet e plota të aktivitetit kriminal:
Në banesën e 53-vjeçarit në Gjormë, Laç, u gjet një ambient i kthyer në “shtëpi bari” me llamba speciale, ku u sekuestruan 48 bimë dhe 120 fidanë kanabis, 7 kg lëndë narkotike, si dhe një sasi e madhe armësh dhe municionesh, përfshirë 4 kallëpë tritoli, 2 granata, 7 fitila detonator dhe pajisje ndezëse për mina luftarake.
Në banesën e 27-vjeçarit në Tiranë, policia sekuestroi 1 kg kanabis, një peshore elektronike dhe armë të ftohta.
Operacioni shënoi një prej goditjeve më të mëdha të muajve të fundit ndaj rrjeteve të drogës, ndërsa hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.