
Raporti i KLSH zbulon mungesat dramatike të barnave onkologjike dhe protokollet e vjetruara, duke ekspozuar dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të garantuar të drejtën kushtetuese të kujdesit shëndetësor.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit: “Mbi disponibilitetin e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale”, është një akuzë e qartë mbi dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të garantuar një të drejtë themelore kushtetuese: kujdesin shëndetësor për qytetarët. Në vend që të sigurojë mbrojtje dhe trajtim, sistemi publik është kthyer në burim rreziku, duke i lënë pacientët onkologjikë të pambrojtur përballë sëmundjes dhe shpesh edhe përballë vdekjes së parakohshme.
Sipas të dhënave të INSTAT, sëmundjet tumorale renditen në vendin e tretë, si shkak vdekshmërie në Shqipëri. Në një realitet të tillë, furnizimi i sigurt me barna citostatike dhe përditësimi i protokolleve klinike nuk është luks, por domosdoshmëri jetike.
Raporti i KLSH tregon se gjatë periudhës 2021-2024 janë regjistruar qindra raste me mungesa të përsëritura të barnave jetike. Pacientë të shumtë janë detyruar t’i sigurojnë këto barna jashtë vendit, me kosto të papërballueshme ose shpesh, të ndërpresin trajtimin.
Një nga gjetjet më alarmante është se protokollet klinike për trajtimin e tumoreve nuk janë përditësuar që prej vitit 2014.
Në një fushë si onkologjia, ku zhvillimet shkencore ndryshojnë çdo vit, kjo është një shkelje e rëndë institucionale. Sipas Institute of Medicine (IOM)/National Academy of Medicine dhe American Academy of Family Physicians, udhëzimet klinike duhet të rishikohen çdo 5 vjet, ndërsa në fusha që evoluojnë me ritme të shpejta, si onkologjia, sugjerohet rishikim çdo 2–3 vjet. Nëse shfaqen prova të reja, që ndikojnë në rekomandimet ekzistuese, rishikimi duhet kryer menjëherë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke mos kontrolluar përditësimin e protokolleve për më shumë se një dekadë, ka lejuar që mjekët të punojnë me udhëzime të vjetra, joefektive dhe të rrezikshme.
Raporti evidenton një situatë të shumëfishtë shkeljesh, ku përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:
Inventar fiktiv: Sistemet elektronike shpesh raportonin barna në stok, ndërsa verifikimi fizik tregonte mungesë totale. Ky hendek tregon mungesë kontrolli dhe transparence.
Kontrata të pazbatuara: Rreth 46% e barnave të autorizuara nuk janë importuar kurrë gjatë periudhës së audituar. Importuesit farmaceutikë shpesh nuk kanë respektuar afatet dhe nuk janë penalizuar.
Nënfinancim kronik: Buxheti për barnat onkologjike është i pamjaftueshëm dhe shpesh joefikas në shpërndarje.
Mungesë koordinimi institucional: Ministria dhe strukturat e saj funksionojnë si “ishuj”, duke shmangur përgjegjësitë dhe duke ia kaluar fajin njëra-tjetrës.
Këto dobësi burokratike kanë pasoja të rënda dhe të prekshme:
Rrezik për jetën: ndërprerja e trajtimit rrit ndjeshëm vdekshmërinë e parakohshme.
Pabarazi sociale: vetëm pacientët me të ardhura të larta kanë mundësi të blejnë barna jashtë vendit.
Shkelje kushtetuese: Neni 55 i Kushtetutës garanton të drejtën për kujdes shëndetësor, por kjo e drejtë është shkelur çdo ditë.
Ky raport lë pas një sërë pyetjesh të cilave Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet t’u japë përgjigje:
Kush është fajtori për mungesën e barnave jetike?
Pse nuk janë kryer kontrolle të rregullta dhe inspektime efektive në institucionet e varësisë?
Kush mban përgjegjësi për protokollet e vjetruara që kanë rrezikuar jetën e pacientëve?
A është kjo thjesht neglizhencë institucionale apo një ndërthurje korruptive, e toleruar dhe miratuar nga vetë ministria?
Raporti i KLSH është një alarm i kuq institucional, një dëshmi se kjo nuk është thjesht krizë financiare, por krizë menaxhimi, transparence dhe përgjegjësie publike.
Nëse institucionet e drejtësisë nuk marrin masa konkrete dhe urgjente, trajtimi i kancerit në Shqipëri do të mbetet një lotari fatale, ku shumica e pacientëve janë të dënuar të humbasin. Ky nuk është thjesht dështim administrativ, është abuzim me detyrën, është shpërdorim i pushtetit dhe një krim institucional i kryer me vetëdije, ndaj më të brishtëve të shoqërisë. Kur një ministri që ka për detyrë të sigurojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve shndërrohet në burim rreziku, atëherë, nuk kemi më të bëjmë me gabime burokratike, por me një skemë të mirëfilltë abuzimi që mban vulën e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo ministri nuk ka dështuar rastësisht, ajo ka dështuar sistematikisht dhe me vetëdije, duke e kthyer vuajtjen dhe jetën e pacientëve në monedhë përfitimi dhe korrupsioni. Për këtë arsye, nuk mjafton vetëm kritika, kërkohet hetim penal i menjëhershëm ndaj përgjegjësve dhe llogaridhënie politike. Çdo ditë vonesë në marrjen e masave, është një jetë e humbur, një krim që i faturohet drejtëpërdrejt kësaj ministrie dhe politikës së saj të mosveprimit.