
Izraeli ndalon flotën “Sumud” në Mesdhe; aktivistë ndërkombëtarë mes të cilëve Greta Thunberg arrestohen, ndërsa ndihmat humanitare për Gazën mbeten të bllokuara.
Një operacion i forcave izraelite në Mesdhe ka ndaluar disa nga anijet e flotës “Global Sumud”, e cila kishte në bord aktivistë ndërkombëtarë dhe ngarkesa me ndihma humanitare për Gazën. Midis të arrestuarve është edhe aktivistja e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg.
Organizatorët e flotës njoftuan se marina izraelite përdori agresion aktiv gjatë ndalimit të disa prej mjeteve detare që po transportonin ushqime dhe barna drejt Rripit të Gazës, i cili ndodhet prej vitesh nën bllokadë. Pavarësisht ndërhyrjes, rreth dy duzina anijesh aktiviste vazhdojnë të lundrojnë drejt destinacionit, njëra prej të cilave ka hyrë tashmë në ujërat territoriale të Gazës.
Pamje “live” nga bordi i flotës janë shpërndarë për arsye sigurie dhe për të dokumentuar çdo ndërhyrje gjatë rrugëtimit.
Qeveria britanike reagoi menjëherë duke e quajtur situatën shqetësuese dhe duke kërkuar që çdo përplasje të zgjidhet paqësisht.
“Ndihmat e flotës duhet të dorëzohen në mënyrë të sigurt tek organizatat humanitare në Gaza. Është përgjegjësi e qeverisë izraelite të lehtësojë hyrjen e menjëhershme dhe pa kushte të ushqimit, barnave dhe ndihmave të tjera për civilët që janë në nevojë të dëshpëruar,” – theksoi Foreign Office në një deklaratë.
Izraeli e justifikon ndërhyrjen duke pohuar se vullnetarët po përpiqen të thyejnë një bllokadë detare ligjore. Por ekspertë të së drejtës ndërkombëtare theksojnë se transporti i ndihmave humanitare nuk mund të pengohet, sidomos në rrethana të një krize të rëndë humanitare si ajo në Gaza.