
Kryeministri ekspozon mungesën e etikës dhe kulturës politike, duke e kthyer diplomacinë në një skenë personale
Një lajm nga samiti i Komunitetit Politik Evropian i publikuar nga Pamfleti, po qarkullon gjerësisht në rrjet, ku Kryeministri Rama shihet duke bërë një “shaka”me Presidentin francez Emmanuel Macron për “paqen” mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Komenti me humor i Ramës vjen pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ngatërruar disa herë Azerbajxhanin me Shqipërinë.
Ai që për një lider të një vendi duhet të ishte një moment serioz, për të përfaqësuar me dinjitet shtetin, u kthye në një episod të pavend humori.
Ky lloj komunikimi nuk është as i rastësishëm e as i padëmshëm, ai shfaq hapur një kompleks inferioriteti që Rama duket se e bart në marrëdhëniet me liderët ndërkombëtarë. Më shumë se diplomaci, batutat e tij ngjajnë me një përpjekje për të fituar vëmendjen në një tryezë ku ndoshta e ndjen veten të parëndësishëm.Ai është pasqyra e një frustrimi të vjetër, që Edi Rama duket se e mbart që prej rinisë së tij.
Sot, i transplantuar në skenën politike evropiane, Rama përpiqet të jetojë atë që dikur e kishte kompleks: jetën e “të fortit”. Në marrëdhëniet me liderët ndërkombëtarë, ai nuk shfaq diplomaci, por improvizon batuta pa vend dhe përdor një gjuhë që ngjan më shumë me imitim se sa me lidership. Në vend të seriozitetit dhe peshës shtetërore që kërkon posti i një kryeministri, ai projekton nostalgjinë e rinisë së tij si i përjashtuar, duke u kapur pas rolit të vonuar të “çunit të lagjes”, në një tryezë ku është lehtësisht i dallueshëm si më i vogli mes të mëdhenjve.
Kjo sjellje është shenjë e mungesës së kulturës politike dhe etikës që kërkon posti i një kryeministri. Në vend të një komunikimi të qartë, të matur dhe me vizion shtetëror, ai zgjedh rrugën e batutave të shkurtra, që vetëm zhvlerësojnë rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Është lehtësisht e dallueshme se Rama ende nuk e ka përtypur përjashtimin e tij nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara. Aty ku liderët realë të botës diskutuan për sigurinë, paqen dhe sfidat globale, Shqipëria mungoi përmes kryeministrit të saj. Dhe tani, për të mbuluar atë boshllëk, ai përpiqet të krijojë zhurmë me batuta, duke harruar se shteti nuk përfaqësohet me humor të rastësishëm, por me seriozitet, dinjitet dhe peshë politike.
Pyetja që shtrohet është: A do të kishte guxuar Rama të bënte një batutë të tillë po të ishte në sallën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, përballë Donald Tramp? Apo “trimëria” e tij kufizohet në “shakatë” e pavenda në korridore evropiane?
Ky është portreti i një lideri që nuk vepron me parime, por me kalkulime të frikësuara, që nuk ndërton respekt, por e humb atë sa herë që zgjedh të sillet si “shakaxhi provincial”, në vend të një përfaqësuesi serioz të shtetit shqiptar.
Kjo sjellje e shndërron përfaqësimin e Shqipërisë në një parodi të hidhur, ku vendi nuk fiton respekt e besueshmëri, por mbetet peng i komplekseve dhe batutave të pavenda të një lideri që ende përpiqet të provojë veten.