
Miliarderi 95-vjeçar zotëron një portofol marramendës me prona ekskluzive në New York, Hamptons dhe Idaho
George Soros, një nga figurat më të njohura të financës botërore dhe themelues i Open Society Foundations, edhe pse në moshën 95-vjeçare, vijon të tërheqë vëmendjen jo vetëm për aktivitetin e tij politik dhe filantropik, por edhe për perandorinë e pasurive të paluajtshme që ka ndërtuar në SHBA.
Pas shpërnguljes nga Londra në Nju Jork në vitin 1956, Soros ngriti një karrierë marramendëse përmes fondeve spekulative dhe sot jeton në një rezidencë gjigante në Bedford, në një lagje elitare pranë New York. Vetëm kjo pronë, e blerë në fillim të viteve ’90, shtrihet në mbi 14 hektarë, ndërsa gjatë dekadave ai ka shtuar edhe prona të tjera ngjitur, duke përmbledhur rreth 46 hektarë tokë dhe vila luksoze.
Në këtë kompleks përfshihen një vilë e shekullit XIX e blerë nga shkrimtari i famshëm Michael Crichton për 19 milionë dollarë, fusha tenisi, ambiente sportive dhe hapësira të dizajnuara për privatësi totale. Banorët e zonës e përshkruajnë Sorosin si të rezervuar, ndërsa të ftuarit e rrallë raportojnë se gjatë festave ai shkon deri aty sa fik edhe Wi-Fi-n për të ruajtur konfidencialitetin.
Lista e pronave të Sorosit nuk mbaron këtu. Ai zotëron gjithashtu:
një rezidencë në Hamptons, El Mirador, prej mbi 2 700 m² me kopshte të mëdha dhe pishina;
një apartament luksoz në Manhattan, në adresën prestigjioze 1060 Fifth Avenue, me 16 dhoma dhe pamje mbi Central Park;
si dhe një vilë në Sun Valley, Idaho, të blerë në vitin 2003 për 2,25 milionë dollarë, e njohur për stilin e saj chalet dhe luksin malor.
Megjithëse Soros shpesh është shprehur se nuk është njeri materialist dhe se nëse do diçka, thjesht e blen, portofoli i tij i pasurive mbetet një nga më të mëdhenjtë për një investitor privat. Sot, ndërsa drejtimin e biznesit ia ka kaluar djalit të tij Alex Soros, miliarderi i moshuar ka zgjedhur të mbetet i tërhequr nga skena publike, duke jetuar mes luksit dhe privatësisë së garantuar nga pronat e tij gjigante.