
Pas votimeve të fundit, e majta franceze shembet nga pozitat drejtuese në Palais Bourbon, ndërsa “socle commun” dhe Rassemblement National sigurojnë shumicën e posteve strategjike.
Një goditje e rëndë për të majtën franceze është shënuar këtë javë në Asamblenë Kombëtare. Pas një serie votimesh vendimtare, ish-aleanca e Frontit të Ri Popullor ka humbur shumicën e posteve të rëndësishme që mbante në kryesinë e institucionit. Nga 22 anëtarë të byrosë, e majta do të përfaqësohet tashmë vetëm me 7 deputetë, duke humbur një pjesë të madhe të ndikimit që kishte fituar pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2024.
Në vend të saj, në skenë është rikthyer fuqishëm Rassemblement National, Partia e Ekstremit të djathtë e cila ka siguruar dy poste nënkryetarësh dhe një sekretar në këtë strukturë të lartë. Ndërkohë, “socle commun”, blloku i qendrës, ka dalë si fituesi kryesor, duke marrë 9 vende dhe duke konsoliduar rolin e tij si forcë vendimtare në balancat politike të Asamblesë.
Për të majtën, ky rezultat është përjetuar si një humbje e hidhur dhe si provë e qartë e një aleance të tërthortë mes qendrës dhe së djathtës radikale. Deputetët e saj akuzuan hapur “socle commun” se, duke bashkëpunuar meekstremin e djathtë , ka lënë jashtë loje një pjesë të konsiderueshme të opozitës tradicionale.
Ky zhvillim shënon një ndryshim të fortë në dinamikën e brendshme të Palais Bourbon. Për herë të parë pas shumë muajsh, e majta humbet dominimin numerik dhe përballet me perspektivën e të qenit më pak e pranishme në proceset vendimmarrëse të Asamblesë.
Një ndryshim që, sipas analistëve, është përgatitur prej javësh nga presidenca e Asamblesë Kombëtare dhe i pranuar nga një shumicë e gjerë e grupeve politike, duke reflektuar fragmentimin e thellë të politikës franceze në tre blloqe të mëdha: të majtën, qendrën dhe ekstrem-djathtën.