
Pas disa orësh kaosi dhe anulimeve, aeroporti i Mynihut u rihap, ndërsa autoritetet gjermane vijojnë hetimet për origjinën e dronëve që paralizuan qarkullimin ajror në kulmin e Oktoberfest-it.
Aeroporti ndërkombëtar i Mynihut, një nga më të mëdhenjtë në Gjermani, u detyrua të pezullojë fluturimet të enjten në mbrëmje, pas disa dronëve të dyshimtë të vërejtur mbi hapësirën ajrore. Ngjarja shkaktoi kaos të vërtetë, duke prekur afërsisht 3 mijë pasagjerë dhe duke sjellë anulimin e të paktën 17 fluturimeve, si dhe devijimin e 15 të tjerëve drejt qyteteve fqinje si Shtutgart, Nuremberg, Vjenë dhe Frankfurt.
Sipas autoriteteve, dronët u shfaqën për herë të parë rreth orës 21:30 me orën lokale, e më pas sërish një orë më vonë. Për shkak të errësirës, policia federale gjermane nuk ka ende informacion mbi llojin, madhësinë apo origjinën e tyre. Fluturimet u pezulluan dy orë përpara kufirit të zakonshëm të natës (nga mesnata deri në orën 05:00).
Gjiganti gjerman i aviacionit Lufthansa konfirmoi se 19 fluturime të saj u prekën nga ndërprerja, duke shkaktuar pasoja të mëdha logjistike. Pas situatës, autoritetet vendosën shtretër provizorë, batanije dhe ushqime për pasagjerët që mbetën të bllokuar brenda terminaleve gjatë natës.
Ngjarja ndodhi në një moment të ndjeshëm për qytetin, i cili po pret festivalin e madh Oktoberfest, ku marrin pjesë mbi 6 milionë vizitorë çdo vit. Vetëm një ditë më parë, festa ishte ndërprerë për disa orë për shkak të një alarmi për bombë.
Kjo nuk është hera e parë që hapësira ajrore evropiane përballet me incidente të tilla. Kohët e fundit, dronë të panjohur janë parë edhe mbi Danimarkë dhe Norvegji, duke detyruar mbylljen e përkohshme të aeroporteve në Kopenhagë dhe Oslo. Tensionet janë shtuar edhe nga raportimet se 20 dronë rusë kanë hyrë në Poloni, ndërsa avionë MiG-31 të Moskës kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë.
Ndërsa hetimet vijojnë, presidenti rus Vladimir Putin i hodhi poshtë akuzat për përfshirje në këto incidente, madje duke ironizuar me një shprehje: “Nuk do ta bëj më, as në Francë, as në Danimarkë, as në Kopenhagë”.