
Nga “The Independent” te “Newsweek”, mediat botërore i dhanë jehonë talljes së Kryeministrit shqiptar ndaj Presidentit amerikan, një veprim që u kthye në skandal diplomatik.
Ajo që Edi Rama e shiti si batutë, në fakt u kthye në një skandal të vërtetë. Gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian, Kryeministri shqiptar u tall publikisht me Presidentin amerikan Donald Tramp, duke e ironizuar për ngatërrimin e përsëritur të Shqipërisë me Armeninë. Por në vend që të fitonte simpatinë e audiencës, Rama e ekspozoi Shqipërinë në titujt ndërkombëtarë për një arsye të gabuar: sjellje të papërshtatshme dhe të dëmshme në një forum serioz diplomatik.
Jehona ishte e menjëhershme: The Independent, Newsweek, The Daily Beast, The New Republic, India Today e shumë media të tjera e paraqitën Ramën si liderin që “tall” Trump. Në vend që bota të fliste për reformat, për rolin e Shqipërisë në NATO, apo për aspiratat evropiane, ajo lexoi për një kryeministër që e përdor podiumin ndërkombëtar si skenë shfaqjeje personale.
Por edhe më i rëndë ishte postimi e tij në platformën X . Në një postim shfaqesues, Rama tentoi ta minimizonte batutën e vet, duke e paraqitur sikur nuk kishte dashur ta thellonte më tej ironinë ndaj Trump. Ky veprim e ekspozoi edhe më keq: jo vetëm si një lider që tallet në mënyrë të papërshtatshme, por edhe si një politikan frikacak, që nuk ka kurajë t’u qëndrojë deklaratave të veta, kur përballë ka pasoja mediatike.
Ky episod është një “boomerang diplomatik”: Rama u shfaq si njeriu që kërkon protagonizëm përmes talljes, por përfundon duke u ekspozuar si i pasigurt dhe i papjekur në arenën ndërkombëtare. Për një vend të vogël si Shqipëria, kjo nuk është aspak krenari, është një dëm i madh në reputacionin ndërkombëtar.