
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka vënë në pranga në flagrancë inspektorin M. L., me detyrë trupë shërbimi në Bllokun e Sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Punonjësi i rendit akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzim i krimit”.
Sipas AMP-së, arrestimi u bë i mundur pas informacioneve të siguruara nga burime konfidenciale, ku rezultonte se inspektori do të kryente një takim për blerjen e disa dozave të lëndës narkotike të dyshuar kokainë, me qëllim shpërndarjen e tyre më pas në ambientet e Bllokut të Sigurisë.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet 0.4 gram kokainë dhe një shumë prej 70 euro, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e hetimeve.