
Ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Edi Rama me strukturat e Partisë Socialiste në Tiranë, lidhur me zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor, të cilat përveç Tiranës, përfshijnë edhe 5 bashki të tjera të vendit.Në mbledhje morën pjesë të gjithë drejtuesit politikë të PS, jo vetëm ata të bashkive që më 9 nëntor do të shkojnë në zgjedhje.
Po ashtu ishin të pranishëm edhe ministrat, deputetët, ish-deputetët që nuk morën dot mandat në 11 maj në qarkun e Tiranës, kandidatët që ishin në listë dhe çdo drejtues i strukturës lokale të PS.Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe Rama ka shpërndarë të gjitha direktivat për zgjedhjet e 9 nëntorit.Mësohet se të gjithë deputetët dhe drejtuesit politikë që nuk kanë zgjedhje në bashkinë e tyre do të angazhohen në fushatën e Tiranës.
Po ashtu përveç drejtuesve politikë në terren do të zbresin edhe ministrat, të cilëve do t’u caktohen zona të caktuara.
Kështu, Toni Gogu do të mbulojë zonën e Ndroqit, Fatmir Xhafaj njësinë nr. 10.
Blendi Klosi dhe Eduard Shalsi rikthehen në Tiranë vetëm për fushatën për zgjedhjet e 9 nëntorit. Ulsi Manja po ashtu rikthehet në Tiranë.
Ish-ministrja Bora Muzhaqi dhe Igli Hasani do të kenë në ngarkim fushatën në Njësinë Nr.8.
Edhe ish-deputeti i PS, Xhemal Qefalia do të jetë i angazhuar në zonën e Dajtit, zone të cilën e ka pasur më herët.
Zonat elektorale për deputetët dhe ish-ligjvënësit socialistë që kanë garuar në Tiranë do të jenë të njëjta si ato për zgjedhjet e 11 majit. Në fushatë atyre do t’u shtohen edhe deputetët e qarqeve të tjera, në të cilat nuk ka zgjedhje të pjesshme lokale.Nga takimet e mëhershme që ka pasur kryeministri me përfaqësues të kryeqytetit në selinë e PS, është mësuar se Rama është shprehur: “Dua të kemi një fitore sa më të madhe”.Synimi është për një diferencë më e madhe se gara e fundit elektorale, zgjedhjet vendore të vitit 2023. Kujtojmë se asokohe, Erion Veliaj fitoi thellë ndaj kundërshtarit të tij, Belind Këlliçi, me plot 60 mijë vota më shumë. Rama kërkon një fitore edhe më të thellë se kjo.Kjo kërkesë e Ramës mësohet se nuk vjen vetëm për sfidën me kundërshtarin politik, por edhe për të gjithë perceptimin se rezultati i Tiranës nuk varet nga vetëm një individ.
Ndërkohë, sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve, mësohet se Rama u ka thënë socialistëve se kjo është zgjedhja e Presidentit të Republikës