
Një grabitje e shpejtë dhe e organizuar mirë ka tronditur qendrën historike të Trevisos. Brenda më pak se dhjetë minutash, një bandë profesionistësh ka boshatisur vitrinën dhe raftet e dyqanit “De-Luxe Bags” në rrugën Santa Margherita, duke marrë 65 çanta luksoze me një vlerë të përllogaritur mbi 100 mijë euro. Mes markave të zhdukura dominojnë Chanel dhe Louis Vuitton, ndërsa të vetmet që shpëtuan ishin disa modele të fshehura në pjesën e pasme të dyqanit për t’u fotografuar.
Alarmi ra në orën 03:31 të natës mes 30 shtatorit dhe 1 tetorit. Hetimet e para të policisë flasin për një operacion të planifikuar: hajdutët mbërritën me një makinë ose furgon, e parkuan përpara dyqanit, forcuan bravën pa thyer derën dhe neutralizuan alarmin. Brenda pak minutash morën çantat më të shtrenjta, duke lënë pas valixhet e mëdha dhe, në mënyrë të çuditshme, të gjitha aksesorët me ngjyrë të kuqe.
Deborah Gottardi, pronarja e dyqanit, e njohur edhe për mbi 50 mijë ndjekësit e saj në Instagram, u përball me një pamje dramatike: dyqan bosh dhe derë e hapur.
“Dëmi ekonomik është i jashtëzakonshëm dhe siguracioni nuk do ta mbulojë të gjithin. Ky vjedhje më ka shkatërruar shpirtërisht. Çdo mëngjes kur hyj e shoh raftet bosh, më duket sikur më kanë vjedhur jetën”, -u shpreh ajo me lot në sy.
Pavarësisht dhimbjes, ajo vendosi ta ndante lajmin me klientët dhe ndjekësit në rrjetet sociale. Reagimi i njerëzve ka qenë i menjëhershëm: dhjetëra mesazhe solidariteti e kanë mbështetur në një moment kaq të vështirë.
“Më kanë dhënë forcë për të mos u dorëzuar, por e di që kurrë nuk do të ndihem më e sigurt në këtë dyqan”, -shtoi Gottardi.
Policia italiane vijon hetimet, duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar bandën që, me një goditje kirurgjikale, goditi zemrën e luksit trevizjan.