
Republika Islamike kryen ekzekutime pas pushimit të luftës me Izraelin, akuzon të arrestuarit për spiunazh dhe bashkëpunim me armikun sionist
Në një valë represioni që pason armëpushimin me Izraelin, Irani ka arrestuar mbi 700 persona të akuzuar për bashkëpunim me agjencitë izraelite të inteligjencës dhe ka ekzekutuar me varje tre të dyshuar si agjentë të Mossad-it, njoftuan të mërkurën mediat shtetërore në Teheran.
Të ekzekutuarit, Idris Ali, Azad Shojai dhe Rasoul Ahmad Rasoul, u dënuan me akuzën e “bashkëpunimit në favor të regjimit sionist” dhe, sipas autoriteteve, kishin kontrabanduar pajisje të përdorura në një atentat të fshehtë. Ekzekutimet u kryen në qytetin Urmia, pranë kufirit me Turqinë, ndërsa autoritetet publikuan imazhe të të dënuarve me uniforma të burgut para ekzekutimit.
Rrjeti i spiunazhit izraelit ishte jashtëzakonisht aktiv gjatë luftës 12-ditore, që përfundoi me armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA. Përveç këtyre tri rasteve, Teherani ka ekzekutuar disa agjentë të tjerë të dyshuar gjatë ditëve të fundit.
Në konfliktin që shpërtheu më 13 qershor, Izraeli goditi objektiva strategjikë iranianë, përfshirë baza ushtarake, shkencëtarë bërthamorë dhe qendra të pasurimit të uraniumit. Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi mbi 550 raketa balistike dhe 1mijë dronë, duke shkaktuar 28 të vdekur dhe mijëra të plagosur në Izrael.
Irani është sot ekzekutuesi i dytë më i madh në botë, pas Kinës, sipas Amnesty International. Arrestimet e fundit shënojnë një përshkallëzim të frikshëm të shtetit iranian kundër çdo personi të dyshuar për bashkëpunim me Izraelin, ndërkohë që vendi feston publikisht fitoren e armëpushimit.