
Shenja dhune në trup dhe dyshime për krim brenda familjes
Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së premtes fshatin Pllanë të Lezhës, ku 65-vjeçari Gjergj Tusha u gjet i pajetë pranë lumit Mat. Trupi i tij u dërgua menjëherë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekspertizë, ndërsa të dhënat e para flasin për shenja dhune në disa pjesë të trupit, çka ngre dyshime të forta se fillimisht është dhunuar dhe më pas qëlluar me armë zjarri.
Tusha, me origjinë nga Bushkashi i Matit, prej vitesh jetonte në Pllanë. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorit apo autorëve të mundshëm.
Sipas burimeve nga uniformat blu, pista kryesore e hetimit lidhet me konflikte familjare. Mësohet se viktima ishte pajisur tre herë me urdhër mbrojtjeje për shkak të përplasjeve të vazhdueshme me të birin, çka ka shtyrë hetuesit të mos përjashtojnë mundësinë e një krimi brenda familjes.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit të ngjarjes tragjike.