
Meta, Apple dhe Google kërkojnë zbehjen e rregullave të ashpra evropiane mbi tregun digjital, ndërsa Uashingtoni i ri u jep zemër në sfidën ndaj Brukselit.
Në epokën e re politike të Shteteve të Bashkuara, fryma e Donald Trump duket se ka frymëzuar një ofensivë të re nga gjigantët e teknologjisë kundër institucioneve evropiane. Meta, Google dhe Apple po rrisin tonin e kritikave të tyre ndaj paketës rregullatore të Bashkimit Evropian; DSA, DMA dhe AI Act, që synojnë të kontrollojnë pushtetin e platformave të mëdha në tregun digjital.
Edhe Apple, tradicionalisht e rezervuar në komunikim, ka hyrë në lojë me një agresivitet të paprecedent. “DMA duhet të shfuqizohet dhe të zëvendësohet me një ligj më të përshtatshëm”, -deklaroi zyrtarisht kompania e Tim Cook, duke vënë në shënjestër një nga ligjet themelore të BE për ndalimin e praktikave monopoliste. Me takime intensive me parlamentarë, presion mbi komisionerët dhe deklarata publike të qëndrueshme, Apple po kërkon të ndryshojë balancën e fuqisë në raportin transatlantik.
Meta dhe Google ndjekin të njëjtën linjë, duke e cilësuar legjislacionin evropian si pengesë për inovacionin dhe kërcënim për konkurrencën globale. Në të vërtetë, pas kritikave që fshihen pas termave teknikë, qëndron frika nga humbja e miliarda dollarëve fitime dhe nga mundësia që modeli evropian të kopjohet nga vende të tjera.
Në Bruksel, ky presion perceptohet si pjesë e një strategjie të orkestruar nga Uashingtoni, ku administrata e re, e afërt me industrinë e Big Tech, po rishkruan marrëdhëniet ekonomike me BE. “Toni ka ndryshuar”, pranojnë burime diplomatike: nga diplomacia digjitale, Amerika po kalon në ofensivë të hapur.
Rezultati i kësaj beteje ligjore dhe ekonomike do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e rregullimit digjital, por edhe kufijtë realë të sovranitetit evropian në epokën e algoritmeve dhe inteligjencës artificiale.