
Deni dhe Kejni Selimllari, u arrestuan pas një nate kaosi që përfundoi me përleshje dhe thyerje në komisariat.
Një incident i bujshëm ka përfshirë mbrëmjen e së shtunës dy djemtë e ish-Miss Shqipërisë, Valbona Selimllari, të cilët përfunduan në pranga pas një nate të shndërruar në kaos në një nga lokalet më të frekuentuara të zonës së Bllokut në Tiranë.
Burime nga policia konfirmojnë se Deni (21 vjeç) dhe Kejni (18 vjeç) Selimllari ndodheshin në gjendje të rëndë alkooli kur nisën të shqetësonin klientët dhe stafin e lokalit me sjellje agresive dhe ofendime. Kamarierët u detyruan t’i nxirrnin jashtë, por situata degjeneroi edhe më tej.
Jashtë ambienteve të klubit, dy të rinjtë kanë vijuar me britma, sharje dhe fjalor vulgar, duke tërhequr vëmendjen e një efektivi policie që ndodhej pranë zonës. Por ndërhyrja e tij për të qetësuar gjakrat, përfundoi në dhunë: sipas burimeve zyrtare, vëllezërit e kanë goditur policin me grushte, duke e detyruar këtë të fundit të kërkojë përforcime.
Menjëherë në vendngjarje mbërriti patrulla e Komisariatit Nr. 2, e cila ndërhyri për t’i neutralizuar dhe shoqëruar të rinjtë në ambientet e policisë. Por edhe pas arrestimit, sjellja e tyre mbeti tejet e dhunshme.
Sipas të dhënave zyrtare, brenda dhomës së shoqërimit ata kanë dëmtuar kamerat e sigurisë, kanë goditur derën dhe kanë kërcënuar efektivët që ndodheshin në detyrë, duke i detyruar forcat e rendit të përdorin masa shtesë sigurie.
Ndaj Deni dhe Kejni Selimllarit pritet të ngrihen disa akuza të rënda, përfshirë:
Goditje dhe kundërshtim të punonjësit të rendit publik;
Dëmtim prone;
Kanosje ndaj punonjësve të policisë.
Hetimet janë në vijim për të përcaktuar saktësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të analizuar pamjet filmike të sigurisë së lokalit dhe të zonës përreth.
Ngjarja ka shkaktuar jehonë të madhe në rrjetet sociale, për shkak të identitetit publik të familjes Selimllari, ndërsa Policia e Shtetit ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerim për persona që sulmojnë efektivët në detyrë, pavarësisht statusit apo emrit të njohur të prindërve.