
Dukesha e Sussex befasoi botën e modës me paraqitjen e saj mahnitëse në “Paris Fashion Week”, në një rikthim simbolik që shënon edhe daljen e saj të parë në Evropë, pas funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II.
Një shfaqje që askush nuk e priste befasoi dje botën e modës dhe mediat ndërkombëtare. Meghan Markle, bashkëshortja e princit Harry, u shfaq papritur në Paris, në sfilatën e markës legjendare Balenciaga, duke vjedhur vëmendjen e gjithë “Paris Fashion Week”.
E veshur me një kostum dhe mantel të bardhë oversize, flokët e mbledhur në një topuz elegant dhe një prani që lëshonte sofistikim mbretëror, Meghan bëri një rikthim spektakolar në qendër të vëmendjes, pas një periudhe të gjatë mungese nga skena evropiane.
Sipas zëdhënësit të saj, dukesha ishte e pranishme për të mbështetur stilistin Pierpaolo Piccioli, i cili së fundmi është bërë drejtori i ri kreativ i shtëpisë Balenciaga. Meghan ka bashkëpunuar prej vitesh me Piccioli dhe e ka vlerësuar gjithmonë për elegancën e tij moderne dhe mjeshtërinë unike.
Përtej botës së modës, prania e Meghan Markle në Paris ka një peshë simbolike. Kjo është vizita e saj e parë në Evropë që prej funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022. një moment që shënon një hap të kujdesshëm të dukeshës drejt rikthimit në arenën ndërkombëtare, pas viteve të tensionuara me familjen mbretërore.
Ndryshe nga princi Harry, i cili ka udhëtuar disa herë në Londër dhe në vende të tjera të kontinentit, Meghan ishte distancuar plotësisht nga skena publike evropiane, përveç një ndalese të shkurtër tranziti në Heathrow në maj 2024.
Ekspertët e modës e kanë cilësuar paraqitjen e saj si një akt të kujdesshëm diplomacie vizuale: një përzierje mes elegancës franceze dhe identitetit të saj të pavarur nga pallatet britanike.
Meghan dërgoi një mesazh të qartë rinisjeje dhe force personale, duke u shfaqur si një ikonë e stilit, por edhe si një figurë që nuk ka nevojë për kurorë për të shkëlqyer.
Në mesin e kamerave, fashonistëve dhe personaliteteve botërore, Meghan Markle e bëri sërish atë që di më mirë: të kthejë çdo shfaqje në një moment global dhe këtë herë, me një sharm parizien që vetëm ajo mund ta mbajë me aq natyrshmëri.