
Presidenti amerikan konfirmon se Izraeli ka pranuar fazën e parë të planit të tij të paqes, që parashikon ndalimin e menjëhershëm të bombardimeve dhe shkëmbimin e pengjeve. Reagime të fuqishme nga udhëheqës botërorë, ndërsa negociatorët nisen drejt Kajros.
Një zhvillim historik ka surprizuar mbrëmjen e fundit skenën ndërkombëtare. Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se Izraeli ka pranuar linjën fillestare të tërheqjes ushtarake në Gazë, duke hapur rrugën për një armëpushim të menjëhershëm dhe për shkëmbimin e pengjeve dhe të të burgosurve midis palëve.
“Izraeli ka pranuar linjën e tërheqjes fillestare, të cilën e kemi ndarë me Hamasin. Sapo Hamas ta konfirmojë, armëpushimi hyn menjëherë në fuqi,” -shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke shtuar se ky është hapi i parë drejt fundit të një katastrofe tremijë vjeçare.
Sipas planit Trump për paqe në Gazë, forcat izraelite do të tërhiqen deri në një vijë të përcaktuar më parë, ndërsa operacionet ushtarake dhe bombardimet do të ndalen plotësisht. Në të njëjtën kohë, do të nisë shkëmbimi i pengjeve izraelitë me të burgosur palestinezë, me qëllim që më pas të realizohet një tërheqje e plotë graduale.
Kryeministri izraelit Binyamin Netanyah konfirmoi se ka urdhëruar ekipin e tij negociator të udhëtojë drejt Kajros, për të finalizuar detajet teknike të marrëveshjes.
“Shpresoj të sjellim në shtëpi të gjithë pengjet në ditët në vijim,” -deklaroi ai, duke lidhur procesin me festën hebraike të Sukkot, që nis të hënën.
Megjithatë, Netanyahu paralajmëroi se Hamas do të çarmatoset me diplomaci, nëse funksionon plani Tramp, ose me forcë ushtarake nëse dështojnë negociatat.
Nga ana tjetër, Hamas ka njoftuar se pranon planin në parim, por kërkon negociata shtesë për disa pika të paqarta, përfshirë çështjen e çarmatosjes dhe të ardhmen politike të Gazës.
Një zyrtar i lartë i Hamasit deklaroi:“Jemi gati të fillojmë menjëherë zbatimin e marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, si dhe të diskutojmë të gjitha detajet e mbetura për paqen e qëndrueshme.”
Nuk vonuan reagimet nga kryeqytetet botërore :
Emmanuel Macron e quajti një hap vendimtar drejt paqes dhe deklaroi se çlirimi i të gjithë pengjeve dhe ndalimi i bombardimeve janë në prag.
Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, e cilësoi përgjigjen e Hamasit si inkurajuese dhe ftoi palët të shfrytëzojnë këtë rast të rrallë për një armëpushim të përhershëm.
Erdogan e përshëndeti si shenjë që Hamasi është gati për paqe, ndërsa Katar dhe Egjipti, dy ndërmjetësit kryesorë, e cilësuan zhvillimin pozitiv dhe historik.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres, deklaroi se është i inkurajuar nga gatishmëria e Hamasit për të liruar pengjet dhe për të pranuar planin amerikan, duke theksuar se bota duhet të veprojë me besim të mirë për t’i dhënë fund këtij konflikti tragjik.
Por jo të gjithë janë optimistë. Hezbollahu libanez e ka quajtur planin plot rreziqe, duke pretenduar se ai i jep Izraelit avantazhe politike që nuk arriti t’i siguronte me luftë.
Edhe ministrat e krahut të djathtë në qeverinë izraelite kanë paralajmëruar se çdo ndalim i luftës pa shkatërrimin total të Hamasit, do të përbëjë një turp kombëtar.
Ndërsa delegacionet izraelite dhe palestineze përgatiten të nisen drejt Egjiptit për raundin e ri të negociatave, komuniteti ndërkombëtar mban frymën pezull.
Në një mesazh të fundit në Truth Social, Tramp u zotua se të gjithë do të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe se kjo është mundësia më e madhe për paqe në Lindjen e Mesme në 50 vitet e fundit.
Nëse marrëveshja përfundon me sukses, ajo mund të shënojë fundin e dy viteve të gjakderdhjes në Gazë dhe fillimin e një kapitulli të ri diplomatik që do të testojë jo vetëm durimin e palëve, por edhe rolin global të Amerikës në një epokë të re të paqes së brishtë.