
Siria do të zhvillojë të dielën një votim të tërthortë për të ngritur parlamentin e parë, pas rrëzimit të Bashar al-Asadit, një hap kyç në tranzicionin politik që po shoqërohet me dyshime serioze për gjithëpërfshirjen.
Sipas autoriteteve, kolegjiume rajonale me rreth 6.000 delegatë do të zgjedhin dy të tretat e 210 vendeve në parlament, ndërsa një komision i emëruar nga presidenti Ahmed al-Sharaa ka miratuar 1.570 kandidatura. Sharaa, i cili erdhi në pushtet pas rrëzimit të Asadit në dhjetor, do të emërojë vetë një të tretën e mbetur të deputetëve.
Qeveria thotë se formati i tërthortë u zgjodh për shkak të mungesës së të dhënave të besueshme demografike dhe zhvendosjes masive të popullsisë. Për arsye sigurie e politike, votimi është shtyrë në verilindje (nën administrim të udhëhequr nga kurdët) dhe në provincën Suvejda (mbajtur kryesisht nga grupet druze), çka do të lërë 19 vende boshe.
Aktivistë dhe analistë e cilësojnë procesin të pjesshëm dhe të centralizuar. Në Deir al-Zor, ku lumi Eufrat ndan qytetin mes zonës nën kontrollin e qeverisë (ku do të votohet) dhe asaj të kontrolluar nga autoritetet kurde (ku nuk do të ketë votim), banorë thonë se Siria është një dhe votimi duhet të vlejë për të gjithë.
Përfaqësimi gjinor shihet si pikë e dobët: gratë përbëjnë afro 20% të kandidatëve vetëm në 1/4 e qarqeve, ndërsa në gjysmën e qarqeve ato janë afro 10%. Nuk ka kuota ligjore as për gratë e as për pakicat fetare/etnike. Analistët paralajmërojnë se sistemi “fituesi-i-merr-të-gjitha”, mund të prodhojë një parlament të dominuar nga meshkujt e shumicës suni.
Kjo e vendos barrën mbi Sharaa, i cili ka premtuar përfshirje, që në 1/3 e tij të emërojë gra dhe përfaqësues të pakicave. Por ekziston frika se kjo mund të përdoret për të përqendruar pushtetin. “Nëse presidenti zgjedh individë nën ndikimin e tij, ai mund të qeverisë me dekrete pa kundërshtim efektiv,” vlerëson Haid Haid nga Arab Reform Initiative. Ky moment ose legjitimon një tranzicion të brishtë, ose thellon cinizmin publik.
Nën Asadin, parlamenti kishte 250 vende, me 2/3 të rezervuara për partinë Baath; gratë përbënin vetëm 6–13% të deputetëve (1981–2023) dhe zgjedhjet e fundit (korrik 2024) u cilësuan farsë nga opozita. Tani, edhe pse arkitektura formale ndryshon, kritikët thonë se rreziku i kontrollit nga qendra mbetet.
Ndërsa presidenti Ahmed al-Sharaa synon të konsolidojë autoritetin në një vend të përçarë nga 14 vite lufte dhe tensione sektare, parlamenti i ri do të jetë testi i parë i vërtetë: sinjal i hapjes, apo vulosje e status quo-së nën një emër tjetër.