Today

Giovanni Brusca, njeriu që shtypi butonin e vdekjes në Capaci më 23 maj 1992, duke vrarë gjykatësin legjendar Giovanni Falcone, bashkëshorten Francesca Morvillo dhe tre truprojat e tij, është sot një njeri i lirë. Ligjërisht. Por kurrsesi moralisht.
Pas 25 vitesh burg dhe 4 vitesh të tjera nën mbikëqyrje, “kasapi i Cosa Nostra-s”, bos i San Giuseppe Jato-s dhe përgjegjës për më shumë se 100 vrasje, shumë prej tyre me mënyra macabre, mbyll formalisht kapitullin e tij penal. Por ai nuk mbyll dot kapitullin e tij me Italinë.
Bashkëpunimi i Brusca-s me drejtësinë ndihmoi në zbërthimin e strukturave të errëta të mafies siçiliane, por gjithnjë ka ngjallur dyshime: a ishte kjo një pendesë e sinqertë, një përpjekje për të shpëtuar veten, apo një pazar i ftohtë për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm?
Familjet e viktimave, që nuk kanë marrë kurrë drejtësi të plotë për jetët e shkatërruara, e kanë quajtur këtë liri një fyerje të dytë. Kjo ngjarje është një tjetër grusht në fytyrën e viktimave. Për ta Brusca do të mbetet përjetësisht fytyra e pabesë e Cosa Nostra-s, simboli i një Italie që flet për drejtësi, por që shpesh harron të pyesë: drejtësi për kë?
Lirimi i tij në vitin 2021 ndezi polemika në gjithë vendin. Sot, me daljen përfundimtare nga kontrolli i shtetit, ai shëtit si qytetar i lirë në një vend që e kujton Falcone-n me bulevarde, memoriale e slogane, por që s’e ka zhdukur ende hijen e mafies nga rrënjët e saj.
Në fund, ndoshta nuk është çështje ligji, por ndërgjegjeje. Dhe ndërgjegjja e një kombi nuk ka afat skadence.