
Në sezonin ne ri të podcastit “Flasim” kryeministri Edi Rama ka folur edhe mbi zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen në 6 bashki të vendit.Zgjedhjet sa i përket Tiranës, sipas tij ishin të jashtëzakonshme, për faktin se kryeqyteti mbeti pa kryebashkiak për shkak të, siç e quajti, “një zhvillimi brutal të drejtësisë”.
“Më 9 nëntor, qytetarët e Tiranës dhe 5 bashki të tjera do të votojnë për kryebashkiakët. Në qytetet e tjera janë zgjedhje krejt normale, ndërsa në Tiranë janë të jashtëzakonshme. Kjo jo sepse Tirana është kryeqyteti, por sepse mbeti pa kryebashkiak për shkak të një zhvillimi brutal të drejtësisë.Erion Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim, aty ku po mbahet ende prej muajsh mes një procesi me standarde që ta them butë, janë të dyshimta”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek diskutimet pëer dekretimin e zgjedhjeve nga Presidenti Begaj në Tiranë, ndërkohë që Veliaj e ka ankimuar vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese.
“Ndërsa ata që diskutojnë legjitimitetin e dekretit presidencial për zgjedhjet, nuk kanë asnjë faj, sepse nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale, e as dijen mbi Kushtetutën të Ilir Rusmalit, këshilltarit juridik të presidentit dhe ministrit të drejtësisë së Partisë Demokratike, që vetëm për hir të integritetit të tij moral e profesional dha dorëheqjen e nuk pranoi të behej palë me korrupsionin që çoi në tragjedinë makabre të Gërdecit”, tha Rama.