
Ekipet kineze të shpëtimit evakuojnë dhjetëra alpinistë drejt qytetit Qudang, ndërsa dhjetëra të tjerë përballen ende me kushte ekstreme në Himalaje.
Mbi 350 alpinistë janë shpëtuar pas një stuhi të fuqishme dëbore që goditi anën tibetiane të Malit Everest. Më shumë se 500 persona u zunë në befasi nga reshjet e dendura të borës dhe shirave të rrëmbyer gjatë rrugës për në rajonin Tingri të Tibetit, një nga itineraret kryesore për ngjitjen drejt majës më të lartë të botës.
Personat e shpëtuar u dërguan në qytetin e vogël Qudang, në anën tibetiane të malit, ndërsa rreth 200 të tjerë mbeten ende të bllokuar në kushte të rrezikshme dhe pritet të mbërrijnë në Qudang në disa faza, nën drejtimin e ekipeve të shpëtimit të organizuara nga autoritetet lokale. Ende nuk është bërë e ditur nëse udhërrëfyesit lokalë dhe stafi mbështetës që shoqëronin grupet e alpinistëve janë llogaritur apo jo, dhe nuk ka të dhëna nëse ata që ndodheshin pranë faqes veriore të Everestit janë prekur nga stuhia.
Reshjet e borës nisën të premten në mbrëmje dhe vazhduan gjatë gjithë ditës së shtunë, në një luginë që ndodhet në një lartësi mesatare prej 4,200 metrash mbi nivelin e detit. Për shkak të kushteve ekstreme, kompania turistike e qarkut Tingri pezulloi shitjen e biletave dhe hyrjen në zonën turistike “Everest Scenic Area”. “Ishte jashtëzakonisht ftohtë dhe lagësht në male, dhe hipotermia ishte një rrezik real,” -tha Chen Geshuang, pjesë e një grupi prej 18 alpinistësh që arritën të mbërrinin në Qudang. Udhërrëfyesi tha se nuk kishte hasur kurrë një mot të tillë në tetor. Dhe gjithçka ndodhi shumë papritur.
Në Nepalin fqinj, komunitetet Sherpa po përballen me kushte gjithnjë e më të paparashikueshme, teksa ndryshimet klimatike po sjellin stuhi më të shpeshta dhe ekstreme në Himalaje, duke rrezikuar si alpinistët, ashtu edhe popullsitë lokale që jetojnë e punojnë aty prej brezash.