
Një 44-vjeçare u arrestua pasi përmes kërcënimeve dhe presioneve në rrjete sociale, zhvatte para nga një grua nga Saranda, duke e futur në një spirale shantazhi dhe frike.
Një histori e pazakontë shantazhi virtual ka tronditur Sarandën. Një 44-vjeçare nga Durrësi, e identifikuar si Zyhra Korra, është arrestuar nga policia pas akuzave se ka përfituar 5 mijë euro nga një grua 39-vjeçare përmes kërcënimeve dhe presioneve të përsëritura në rrjete sociale.
Sipas hetimeve, e dyshuara nuk u ndal me kaq: ajo vazhdoi të ushtrojë presion mbi viktimën, duke i kërkuar edhe 50 mijë euro të tjera, nën kërcënimin e publikimit të materialeve komprometuese. Kallëzimi i gruas nga Saranda çoi menjëherë në një hetim të specializuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.
Pas disa javësh ndjekjeje, autoritetet arritën të lokalizojnë dhe ndalojnë 44-vjeçaren në Durrës. Policia bëri të ditur se ajo do të hetohet për veprën penale të “Shtërngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, ndërsa materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Ky rast hedh dritë mbi një fenomen në rritje në vend, ku rrjetet sociale po kthehen në terren për abuzime dhe shantazhe virtuale, duke vënë në alarm autoritetet ligjzbatuese për forcimin e mbrojtjes kibernetike dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për sigurinë personale online.