
Demokratët mblidhen në selinë blu për të përzgjedhur emrin që do të përfaqësojë opozitën në garën për Bashkinë e Tiranës. Në listë 12 kandidatë, mes tyre pedagogë dhe figura publike të njohura.
Partia Demokratike ka hyrë në orët vendimtare për përzgjedhjen e kandidatit që do të garojë për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka mbledhur sot në selinë e partisë Kryesinë e vogël, në një takim që pritet të vulosë emrin që do t’i propozohet zyrtarisht aleatëve opozitarë.
Në mbledhje marrin pjesë figurat kryesore të strukturës drejtuese: Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, si dhe anëtarët e grupit negociator Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti, të cilët janë ngarkuar të zhvillojnë konsultimet me partitë aleate.
Burime nga selia blu bëjnë të ditur se Berisha synon një emër konsensual, që të unifikojë kampin opozitar dhe të shërbejë si alternativë e fortë përballë Ogerta Manastirliut.
Në deklaratat e tij të mëparshme, Berisha ka pohuar se PD ka në dispozicion 12 deri në 13 kandidatura të gatshme, përfshirë personalitete të njohura nga fusha e akademisë dhe shoqërisë civile.
Vendimi përfundimtar pritet të dalë brenda dy ditëve, ndërsa më pas do të nisë raundi i bisedimeve me partitë aleate të opozitës për të unifikuar kandidaturën.
Sipas burimeve nga brenda mbledhjes, diskutimet janë intensive dhe përqendrohen në emra që mund të mbledhin votat e spektrit të gjerë opozitar, duke shmangur përsëritjen e përçarjeve që shënuan zgjedhjet e mëparshme.
Nëse procesi mbyllet brenda afatit të planifikuar, Partia Demokratike pritet të shpallë zyrtarisht kandidatin për Tiranën deri të mërkurën, duke i dhënë kështu start zyrtar betejës më të rëndësishme politike të opozitës për vitin 2025.