
Pas zyrtarizimit nga Partia Demokratike të kandidaturës së aktorit Florian Binaj për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, ka reaguar Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj.
Në një deklaratë publike, Shehaj kritikoi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit, duke thënë se Sali Berisha bëri vendimmarrje të njëanshme dhe shkelje të parimeve të dakordësuara nga takimet me forcat opozitare.
“Berisha bëri fakt të kryer kandidatin e PD-së për Bashkinë e Tiranës. Berisha hodhi në erë procesin e ndërtuar. PD kishte shansin të shkonte përtej vetes. U shkelën parimet që kishim ndarë. Ai tha se ishte dakord për një kandidat të pavarur. Është e paqartë sesi ata kanë dalë në konkluzionin se si kandidati ka më shumë shanse. Nuk mund të merret një kandidat kur nuk është bërë një sondazh. Morën një vendim pa të dhëna të sakta,” – tha Shehaj në reagimin e tij.
Shehaj theksoi se përzgjedhja e kandidatit duhet të ishte bazuar në të dhëna konkrete dhe konsultime të gjera, jo në vendime të imponuara. Binaj do të jetë përballë Manastirliut kandidates së PS për Tiranën në zgjedhejt e 9 nëntorit.