Pas dorëheqjes së papritur të Sébastien Lecornu, tregjet financiare reagojnë me panik indeksi CAC 40 bie ndjeshëm, duke shfaqur krizën e besimit ndaj stabilitetit politik të Francës.
Doreheqja e beftë e Sébastien Lecornu këtë të hënë në mëngjes ka shkaktuar një tronditje të menjëhershme në botën financiare franceze, duke përmbysur pritjet e investitorëve për qetësi pas javësh të tensionuara politike. Vetëm pak orë pas njoftimit, indeksi CAC 40 ra me gati 2%, duke shënuar një nga humbjet më të forta të muajve të fundit.
Ekspertët e tregjeve e përshkruajnë këtë situatë si skemarin më të keq të mundshëm, ndërsa mungesa e qartësisë politike po dëmton seriozisht besimin e investitorëve.
“Partnerët tanë amerikanë më pyesin të habitur: ‘Çfarë dreqin po ndodh në Francë?’”, -pohoi me ironi Lionel Melka, drejtues i kompanisë së investimeve Swann Capital. “Ata prisnin formimin e një qeverie që do sillte stabilitet… në vend të kësaj, morën një dorëheqje mëngjesin pas njoftimit të kabinetit.”
Pas njoftimit të dorëheqjes, Bursa e Parisit u përfshi nga luhatje të forta. Në mëngjes, CAC 40 humbi pothuajse 2%, për t’u stabilizuar disi në -1.3% gjatë pasdites.
Aksionet e bankave, si BNP Paribas dhe Crédit Agricole, ranë rreth 3%, ndërsa edhe gjigantët e sektorit të luksit, zakonisht të mbrojtur nga krizat politike, pësuan humbje mbi 2% , përfshirë LVMH, Kering dhe Hermès.
Sipas John Plassard nga Cité Gestion Private Bank, tregjet e urrejnë pasigurinë. Ajo që po ndodh në Francë është shembull klasik i një vendi që dërgon sinjale të paqarta për drejtimin e tij politik, dhe kapitali reagon menjëherë.
Kjo është dorëheqja e dytë e një kryeministri francez brenda pak muajsh, dhe analistët paralajmërojnë se këto përçarje politike mund të frenojnë investimet e huaja dhe të rëndojnë ndjeshëm mbi rritjen ekonomike.
“Për tregjet ndërkombëtare, Franca ishte një pikë reference për stabilitet në Eurozonë,” -shpjegon Melka. “Por pas këtij episodi, perceptimi po ndryshon me shpejtësi.”
Nëse kriza politike në Paris vazhdon, ekonomistët paralajmërojnë se pasojat mund të ndihen edhe në bursat e tjera evropiane. Një ulje e besimit ndaj Francës, ekonomisë së dytë më të madhe të BE, do të thotë më pak investime, më shumë luhatje dhe një euro më të dobët në javët e ardhshme.
Në përfundim, doreheqja e Lecornu nuk është vetëm një krizë politike, por një sinjal alarmi për ekonominë franceze dhe evropiane.
