
Dy vite pas sulmit të Hamasit që tronditi Izraelin, vendi gjendet në një moment reflektimi të thellë: ndarjet e brendshme po thellohen, izolimi ndërkombëtar po rritet dhe çmimi i luftës në Gaza bëhet çdo ditë më i rëndë.
Më 7 tetor 2023, Izraeli përjetoi ditën më të errët të historisë së tij moderne, kur militantët e Hamasit sulmuan në jug të vendit, duke vrarë 1,139 persona dhe marrë rreth 200 pengje. Dy vjet më vonë, ndërsa bisedimet për paqe zhvillohen në Egjipt, Izraeli përballet me një krizë të identitetit që po trondit themelet e tij politike dhe shoqërore.
Lufta që pasoi në Gaza ka lënë plagë të thella. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, mbi 67,000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 169,000 janë plagosur, ndërsa shumica e qytetit të Gazës është kthyer në rrënoja.
Brenda Izraelit, familjet e pengjeve mbeten zëri më i fortë i revoltës. Në Tel Aviv, mijëra qytetarë kanë dalë në protesta, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe përfundimin e luftës.
Një pamje e realizuar me dron tregon qindra familje dhe mbështetës që mblidhen me pankarta përpara përvjetorit të sulmit, nën moton: “Dy vjet janë shumë”.
Sipas analistëve, ndarjet e brendshme në Izrael janë thelluar më shumë se kurrë.
“Shumë izraelitë ndihen të lodhur, të zhgënjyer dhe të izoluar,” – vlerëson Mairav Zonszein, analiste në International Crisis Group.
Në opinionin publik ka një çarje të dukshme midis atyre që kërkojnë vazhdimin e operacioneve ushtarake deri në fundin e Hamasit dhe atyre që shohin nevojën urgjente për një marrëveshje politike dhe rikthim të pengjeve.
Ndërkohë, kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit janë shtuar ndjeshëm, me akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përdorim disproporcional të forcës që kanë dobësuar imazhin e tij në botë.
Ndërsa protestat zhvillohen në Izrael, në Sharm el-Sheikh të Egjiptit kanë nisur bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit, të mbështetura nga SHBA, Egjipti dhe Turqia. Raundi i parë ka përfunduar me tone pozitive, me fokus te armëpushimi, shkëmbimi i pengjeve dhe lehtësimi i krizës humanitare në Gaza.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka një mundësi reale për paqe, duke e cilësuar planin e tij 20-pikësh si rrugën e vetme për stabilitet afatgjatë.
Dy vjet pas 7 tetorit, Izraeli po e ndien peshën e asaj dite jo vetëm në politikë, por në vetëdijen e tij kombëtare.
Kjo nuk është më vetëm një luftë kundër Hamasit, është një përballje e Izraelit me vetveten: çfarë vendi dëshiron të jetë dhe çfarë çmimi është gati të paguajë për sigurinë e tij.
Në këtë përvjetor të dhimbshëm, ndërsa familjet e pengjeve shpresojnë për rikthimin e më të dashurve të tyre, një pyetje e madhe mbetet pezull mbi Izraelin dhe rajonin:
A mund të ketë paqe pas dy vitesh që sollën vetëm humbje dhe urrejtje?