
Sipas policisë shqiptare, gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, humbi jetën teksa po transportohej për në spital pas të shtënave që ndodhën brenda sallës së gjyqit në Tiranë.
Autori i dyshuar, një 30-vjeçar, u largua nga vendngjarja menjëherë pas krimit, por u arrestua pak më vonë nga policia. Autoritetet konfirmuan gjithashtu se arma e krimit, një pistoletë revolver, është sekuestruar.
Gjatë sulmit, agresori plagosi gjithashtu dy persona të tjerë, një baba dhe djalin e tij, pjesëmarrës në procesin gjyqësor. Të dy ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Sipas mediave shqiptare, çështja që po gjykohej kishte të bënte me një konflikt pronësie.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi ngjarjen si një “akt tragjik”, duke bërë thirrje për rishikim të menjëhershëm të masave të sigurisë në gjykata. Në një reagim në platformën X, Rama kërkoi që autorët e krimeve me armë të përballen me dënimet më të rënda të mundshme, ndërsa për autorin e vrasjes së gjyqtarit u shpreh se duhet të marrë reagimin më ekstrem ligjor.
Presidenti Bajram Begaj e dënoi ngjarjen si një sulm i tmerrshëm ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë, duke e konsideruar vrasjen e gjyqtarit një plagë për shtetin ligjor në Shqipëri.
Të dhënat e Qendrës Rajonale për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Evropën Juglindore tregojnë se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 213 incidente me armë zjarri në Shqipëri. Ligji shqiptar parashikon deri në tre vite burg për posedim të paligjshëm të armëve.
Që nga nisja e reformës në drejtësi në vitin 2016, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, sistemi gjyqësor shqiptar është përballur me vonesa të mëdha në shqyrtimin e çështjeve, me dhjetëra mijëra procese të pazgjidhura që kanë krijuar ngarkesë të konsiderueshme në gjykata./ALJAZEERA