
Hetimet për ngjarjen tragjike në Gjykatën e Apelit në Tiranë kanë çuar në arrestimin e një roje sigurie, që akuzohet se ka dështuar të parandalojë futjen e armës brenda sallës ku u ekzekutua gjyqtari Astrit Kalaja.
Ngjarja e rëndë që tronditi drejtësinë shqiptare vijon të sjellë zhvillime të reja. Pas ekzekutimit me armë zjarri të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, policia ka arrestuar një nga punonjësit e sigurisë së institucionit, Banush Koxhaj, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Sipas burimeve zyrtare, Koxhaj punonte prej gjashtë muajsh pranë gjykatës, në detyrën e kontrollit të personave dhe sendeve që hynin në ambientet e institucionit, përmes detektorit të sigurisë. Hetimet paraprake dyshojnë se ai nuk ka kryer kontrollet sipas protokollit, duke mundësuar që autori i dyshuar, 30-vjeçari Elvis Shkambi, të fuste armën e zjarrit me të cilën vrau gjyqtarin.
Pasi u qëllua në sallë, Kalaja humbi jetën gjatë transportit për në spital, ndërsa Shkambi u arrestua disa orë më vonë. Vrasja e tij ka hapur një debat të gjerë publik mbi masat e sigurisë në gjykata dhe përgjegjësinë institucionale të personelit që ruan rendin brenda tyre.
Hetimet e Prokurorisë së Tiranës vijojnë, ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se po verifikohen procedurat e kontrollit të sigurisë në hyrje të godinës dhe mundësia e bashkëpunimit apo neglizhencës nga ana e rojeve të tjera.
Ngjarja, e ndodhur në mes të ditës dhe në prani të shumë personave, është cilësuar si një nga incidentet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave.