
Kryetari i Shoqatës Turistike “Arta”, Dionis Sota, shpall kandidaturën e parë të pavarur për kryetar bashkie në Vlorë. Ai bën thirrje për bashkim përtej partive dhe premton një qytet me më shumë dashuri, transparencë dhe shpresë.
Në qytetin bregdetar të Vlorës është shfaqur kandidatura e parë e pavarur për zgjedhjet vendore të ardhshme. Dionis Sota, një emër i njohur në fushën e turizmit dhe kryetar i Shoqatës Turistike “Arta”, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar bashkie, duke hyrë në garë jashtë çdo strukture partiake.
Në një postim publik në rrjetet sociale, Sota theksoi se vendimi i tij vjen si një nismë personale e lindur nga zhgënjimi me mungesën e transparencës dhe shpresës në qytet, por edhe nga dëshira për ta kthyer Vlorën në një vend ku çdo qytetar ndihet pjesë e së ardhmes.
“Kandidoj me besim për një qytet ku çdo banor, nga qendra e Vlorës deri në fshatrat e Orikumit, Shushicës e Novoselës, të ndihet i vlerësuar. Një Vlorë pa ndasi, plot dashuri e motivim. Frymëzimi vjen nga fëmijët tanë, prindërit dhe gjyshërit që duan të shohin një qytet që i përket të gjithëve”, – shkruan ai.
Sota u bëri thirrje forcave opozitare dhe qytetarëve pa dallim bindjesh politike që të mbështesin nismën e tij, të cilën e përshkroi si një sfidë për qytetin dhe një sakrificë të ndërgjegjshme për të ndryshuar mentalitetin e vjetër të politikës lokale.
Ai shprehu keqardhje për valën e emigracionit që ka boshatisur Vlorën ndër vite, duke e cilësuar si “një plagë të hapur të qytetit që po humbet bijtë e vet më të mirë”. “Unë dua që fëmijët tanë të rriten këtu, që gjyshërit tanë të mos jetojnë më vetëm. Vlora meriton më shumë dashuri, më shumë dinjitet,” shtoi ai.
Me një karrierë të gjatë në sektorin e turizmit dhe me lidhje të ngushta me komunitetin lokal, Sota ka deklaruar se do të fokusohet në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, transparencën në qeverisjen vendore dhe përmirësimin e infrastrukturës në çdo lagje e fshat të Vlorës.
Kandidatura e tij shihet si një sinjal i qartë për një frymë të re politike në qytet, ku qytetarët kërkojnë alternativa përtej përplasjes së partive tradicionale.