
Hetimi zbulon neglizhencën fatale që i hapi rrugën autorit të armatosur të futej lirshëm në Gjykatën e Apelit. Tre persona janë arrestuar, mes tyre edhe punonjësi i sigurisë që qëndroi i ulur, ndërsa detektori sinjalizonte alarm.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin më 6 tetor në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, po zbardhet në detaje nga hetimet. Policia ka bërë publike mekanizmin e plotë të krimit, duke konfirmuar një neglizhencë dramatike të sigurisë që lejoi autorin e armatosur të hynte pa asnjë kontroll.
Sipas raportit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në orën 13:42 të ditës së ngjarjes, autori i dyshuar Elvis Shkambi, së bashku me xhaxhain e tij G. Sh., kaluan në hyrje të gjykatës, përmes pajisjes detektuese. Pajisja sinjalizoi praninë e metaleve, duke ndezur dritat e kuqe të alarmit. Por roja i sigurisë, Banush Koxhaj, që ndodhej në postin e kontrollit, nuk reagoi, qëndroi i ulur dhe lejoi kalimin e personave, pa kryer asnjë kontroll fizik apo regjistrim në librin e hyrje-daljeve, siç e kërkon protokolli.
Ky moment, i cilësuar nga hetuesit si çasti që vendosi fatin e një jete, i mundësoi autorit të fuste brenda institucionit armën me të cilën pak më vonë do të kryente vrasjen e gjyqtarit Kalaja.
Policia ka arrestuar tre persona në lidhje me këtë ngjarje: autorin e dyshuar Elvis Shkambi, xhaxhain e tij që e shoqëronte G. Sh., dhe punonjësin e sigurisë Banush Koxhaj, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Sipas burimeve të hetimit, Kalaja po zhvillonte një seancë mbi kundërshtimin e veprimeve përmbarimore, ku palë ishin dy familje të përfshira në një konflikt pronësie. Në orën 15:35, autori ka nxjerrë armën në sallë dhe ka qëlluar drejt gjyqtarit në sy të pjesëmarrësve, duke e lënë të plagosur për vdekje.
Ekspertët kriminalistë kanë sekuestruar pamje filmike dhe prova të tjera që dëshmojnë mosveprimin e personelit të sigurisë, ndërsa Prokuroria e Tiranës po heton nëse ka pasur mangësi të qëllimshme, apo thjesht neglizhencë të rëndë.
Ngjarja ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, duke hapur një debat të ashpër për sigurinë në institucionet gjyqësore, ku si pasojë e shpërfilljes së alarmit të kuq, u shua një jetë.