
Operacioni i madh i policisë italiane çon në pranga tetë persona. Hetimet zbulojnë lidhje mes trafikut të drogës, mashtrimeve fiskale dhe vrasjes mafioze të një sipërmarrësi italian.
Një shqiptar 33-vjeçar është arrestuar në Itali si organizatori dhe ekzekutori kryesor i atentatit mafioz që tronditi qytetin e Brescias më 1 mars 2024, kur u vra një sipërmarrës italian në një atentat tipik mafioz në Montichiari.
Sipas raportimeve të mediave italiane dhe konfirmimeve nga Prokuroria e Brescias, i arrestuari konsiderohet “truri i grupit kriminal” që kishte ngritur një rrjet të sofistikuar mes Italisë, Shqipërisë dhe Marokut. Banda merrej kryesisht me trafik kokaine, por hetimet kanë zbuluar edhe përfshirje në mashtrime fiskale dhe pastrim parash.
Në total, gjatë operacionit të shtrirë në shtatë provinca italiane, Brescia, Milano, Bergamo, Verona, Mantova, Ferrara dhe Rovigo, u arrestuan tetë persona, ndërsa u sekuestruan armë, para në kesh dhe dokumente të falsifikuara.
Hetimet kanë treguar se grupi përdorte një rrjet biznesesh fiktive për të fshehur fitimet nga trafiku i drogës dhe për të gjeneruar fatura mashtruese me vlerë mbi 450 mijë euro.
Operacioni, i zhvilluar nga Karabinierët e Brescias me mbështetjen e njësive speciale anti-drogë, përfshinte edhe përdorimin e qenve “cash dog” për zbulimin e parave të padeklaruara dhe njësitë NAS për kontrolle mbi substanca të ndaluara.
Prokuroria italiane thekson se ky grup vepronte me strukturë tipike mafioze, ku shqiptari kishte rolin e drejtuesit dhe vendimmarrësit kryesor, duke koordinuar furnizimet me kokainë dhe ndarjen e fitimeve në bashkëpunim me bashkëpunëtorë italianë e marokenë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet italiane pritet të kërkojnë edhe ekstradimin e disa bashkëpunëtorëve të tjerë që mendohet të kenë lidhje me rrjetin jashtë Italisë.