
Një burrë hapi zjarr në një sallë gjyqi në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, të hënën, duke vrarë gjyqtarin dhe plagosur dy persona të tjerë, sipas njoftimit të policisë.
Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, po kryesonte seancën ndaj autorit, kur ky i fundit hapi zjarr, thanë autoritetet, duke shtuar se i dyshuari u arrestua menjëherë në vendngjarje.
“Gjyqtari u transportua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë gjatë rrugës,” – thuhej në deklaratën e policisë.
Dy persona të tjerë, baba e bir, që ishin palë në proces, gjithashtu u qëlluan dhe u dërguan në spital, por ndodhen në gjendje të qëndrueshme.
Sipas mediave lokale, çështja gjyqësore kishte të bënte me një konflikt pronësie, dhe autori dyshohet se hapi zjarr ndaj gjyqtarit pasi e dinte që do ta humbiste çështjen.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti ngjarjen një akt tragjik dhe bëri thirrje për dënime më të rënda për krimet që përfshijnë armë zjarri.
Ai shtoi se raste të tilla kërkojnë reagimin më ekstrem ligjor ndaj autorëve të dhunës.
Ndërkohë, Presidenti i vendit, Bajram Begaj, e dënoi sulmin përmes një deklarate zyrtare, duke e cilësuar si një sulm të tmerrshëm ndaj gjithë sistemit të drejtësisë.
Sipas ligjeve shqiptare, posedimi i paligjshëm i një arme zjarri dënohet me deri në tre vjet burg.
Të dhënat nga SEESAC (Qendra për Kontrollin e Armëve të Vogla në Evropën Juglindore dhe Lindore) tregojnë se nga janari deri në qershor 2025 në Shqipëri janë regjistruar 213 incidente që përfshijnë armë zjarri./DailyMail