
Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” ka rikthyer në vëmendje aferën që tronditi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane: lidhjet e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal. Artikulli i publikuar nga e përditshmja amerikane e përshkruan Ramën si një figurë kyçe në hetimin federal për korrupsion.
Vendimi i zotit Adams, një kryebashkiak në ditët e fundit të mandatit, për të kaluar pothuajse një javë nga koha e mbetur në detyrë duke vizituar një vend të Ballkanit, ka ngritur shumë vetulla në Nju Jork.
Me vetëm pak më shumë se një duzinë javësh të mbetura si kryebashkiak, Eric Adams duket se ka vendosur të heqë edhe një vend tjetër nga lista e tij e destinacioneve që dëshiron të vizitojë sa është ende në detyrë: Shqipërinë.
Zoti Adams fluturoi drejt këtij vendi ballkanik të dielën, për atë që një ndihmës i tij e përshkroi si bisedime mbi çështje biznesi dhe turizmi. Ai gjithashtu pritej të takohej me kryeministrin e vendit, Edi Ramën, i cili ka pasur një rol të rëndësishëm në ndjekjen penale të suksesshme për korrupsion të vitit 2023 ndaj një ish-zyrtari të lartë të FBI-së.
Ky udhëtim në një destinacion turistik të njohur, vetëm një javë pasi zoti Adams njoftoi se do të ndalonte fushatën për rizgjedhje, për shkak të rezultateve shumë të ulëta në sondazhe, ka shkaktuar reagime të shumta mes ligjvënësve që prisnin që ai t’i kalonte ditët e fundit të mandatit duke konsoliduar trashëgiminë e tij politike.
Sipas “The New York Times”, lidhjet e kryebashkiakut Adams me Shqipërinë janë relativisht të thella, për një vend që ka pak shkëmbime tregtare me Shtetet e Bashkuara. Artikulli përmend se Adams ka organizuar disa ceremoni kulturore shqiptare në Nju Jork, përfshirë një festim të kulturës shqiptare në Gracie Mansion (rezidenca zyrtare e kryebashkiakut), si dhe ngritje flamujsh në Lower Manhattan për nder të diasporës shqiptare.
Gazeta vëren gjithashtu se djalli i tij, Jordan Coleman, ka marrë pjesë në vitin 2022 në versionin shqiptar të “American Idol”, gjatë vitit të parë të mandatit të Adams. Ky fakt, sipas autorëve, ka forcuar lidhjet personale të kryebashkiakut me vendin ballkanik.
Artikulli thekson se Adams ndodhet në një moment delikat politik, pas vendimit për të hequr dorë nga gara për mandatin e dytë, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuzat e rënda për keqpërdorim fondesh dhe lidhje të dyshimta me sponsorizime ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, udhëtimi në Shqipëri, një vend që aktualisht përmendet në aktakuza për skandale korrupsioni ndërkombëtar që përfshijnë edhe emrin e kryeministrit Rama, është pritur me shumë dyshime në qarqet politike të SHBA-së.
Autorët kujtojnë se Edi Rama ka pasur rol të dukshëm në dosjen e vitit 2023 kundër ish-agjentit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, i cili u dënua për marrje ryshfeti dhe ndërhyrje të paligjshme në çështje të brendshme të Shqipërisë, ndërkohë që Rama përmendet si person i përfshirë në komunikime me të, megjithëse nuk është akuzuar për ndonjë shkelje penale.
McGonigal u shpall fajtor në të dyja rastet federale dhe po vuan një dënim prej gjashtë vitesh e gjysmë burg, duke u bërë një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së të dënuar ndonjëherë për korrupsion.
Vendimi i Adams për të kaluar ditët e fundit të mandatit në udhëtim, në vend që të përqendrohet në menaxhimin e qytetit, ka ngjallur kritika në Nju Jork. Ligjvënësit lokalë kanë shprehur habinë dhe zhgënjimin e tyre, duke theksuar se qyteti përballet me probleme të shumta urbane, sociale dhe buxhetore, ndërsa kryebashkiaku duket më i interesuar për udhëtime dhe foto-diplomaci.
Në shkrimin e saj, gazeta kujton se dy nga prokurorët federalë që ngritën çështjen kundër Adams për shpërdorim të fondeve publike, janë të njëjtët që punuan edhe në dosjen McGonigal, duke sugjeruar se lidhjet midis figurave amerikane dhe shqiptare mbeten nën vëzhgim të institucioneve të drejtësisë amerikane.
.Në fund të shkrimit, “The New York Times” lë të kuptohet se kjo vizitë nuk është thjesht një takim protokollar, por një lëvizje politike me shumë hije dyshimi, që lidh dy figura, njëra në fund të karrierës politike, dhe tjetra e përfshirë në një nga skandalet më të bujshme të korrupsionit ndërkombëtar të viteve të fundit./The New York Times/