
Transaksionet e para në euro përmes sistemit evropian të pagesave afrojnë Shqipërinë me standardet financiare të BE-së.
Sot janë kryer transaksionet e para bankare të Shqipërisë përmes sistemit SEPA (Zona Unike e Pagesave në Euro), një arritje që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e ka cilësuar si një hap historik për integrimin financiar të vendit.
Ky zhvillim vjen pas anëtarësimit të Shqipërisë në SEPA në nëntor të vitit të kaluar, pas një procesi të gjatë përmbushjeje të standardeve teknike dhe rregullatore. Falë këtij integrimi, të 11 bankat vendase do të mundësojnë tashmë pagesa dhe transfertat në euro më shpejt, më lirë dhe me siguri të shtuar për qytetarët dhe bizneset.
Banka e Shqipërisë theksoi se kjo arritje është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe bashkëpunimi të ngushtë me bankat tregtare, institucionet financiare dhe Bankën Botërore.
Në vijim pritet që sistemi SEPA të shfrytëzohet gjerësisht nga bizneset dhe përdoruesit, duke rritur digjitalizimin dhe efikasitetin e pagesave ndërkufitare dhe duke afruar më tej Shqipërinë me tregun financiar të Bashkimit Evropian.