
Pas largimit të bujshëm nga Marseille, mesfushori francez rrëfen për herë të parë anën e tij njerëzore dhe planet e reja me Milanin.
Mesfushori i kombëtares franceze Adrien Rabiot ka folur për herë të parë pas ndarjes së papritur me Olympique de Marseille.
Në moshën 30-vjeçare dhe me 55 ndeshje me “gjelat”, Rabiot është tashmë një nga figurat më me peshë në kombëtaren e Francës. Ai pritet të luajë rol kyç në ndeshjet vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, kundër Azerbajxhanit dhe Islandës.
Pas incidentit të përfolur me ish-bashkëlojtarin Jonathan Rowe, që çoi në largimin e tij nga Marseille më 1 shtator, Rabiot është rikthyer në formë me AC Milan dhe duket se ka lënë pas tensionet e së kaluarës.
Në intervistën e tij, lojtari u shpreh me tone të qeta dhe të reflektuara: “Përpiqem gjithmonë të jem i përulur dhe i mirëedukuar. Nuk dua të kthehem pas, por të përqendrohem tek ajo që vjen.”
Rabiot pranoi se përvoja e fundit e ka ndihmuar të forcohet si sportist dhe si njeri, duke shtuar se qëllimi i tij është të japë maksimumin me fanellën e Milanit dhe të Francës.
“Jeta në futboll ndryshon shpejt,” – theksoi ai.“Sot je në qendër të vëmendjes, nesër duhet të rifitosh gjithçka nga e para. Për mua, rëndësi ka të ruaj karakterin.”