
74 familje përballen me shpronësime të dyshimta; akuzohen manipulime, falsifikime dhe abuzime me pronat private në emër të “rikualifikimit urban”.
Në Durrës po ndizet një përplasje e fortë mes qytetarëve dhe institucioneve publike. Banorët dhe bizneset përgjatë bulevardit “Epidamn” kanë depozituar një padi në SPAK kundër ish-ministrave të Kulturës Elva Margariti dhe Blendi Gonxhja, përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Martin Mataj dhe Aleksandër Sarapuli dhe tre studiove të projektimit që kanë firmosur projektin urbanistik “TID Vollga”.
Sipas banorëve, pas fasadës së “restaurimit dhe rikualifikimit urban”, fshihet një plan sistematik për tjetërsimin e pronave private, ku 74 familje rrezikojnë të humbasin shtëpitë dhe bizneset e tyre, pa qenë kurrê pjesë e një konsultimi publik për tjetërsimin e pronës.
Arkitektja Entela Koja, një nga zërat kritikë të projektit, e cilëson nismën si “eksperiment klientelist mbi qytetin”, duke theksuar se lejet e ndërtimit janë ndryshuar në mënyrë selektive:
“Në 2022 ishin 100 pronarë, në 2024 vetëm 74. Kjo tregon se projekti është manipuluar për të eliminuar disa dhe për të favorizuar të tjerë.”
Koja denoncon se pronat private po shpronësohen me vlera qesharake, ndërsa vendimet merren pa konsultim publik. “Një pjesë e familjeve do të mbeten në rrugë. Bashkia dhe fondacioni AADF po luajnë me fatin e njerëzve si me një plan financiar, jo urban,” -shton ajo.
Banorët kanë dërguar dokumente në SPAK, duke kërkuar pezullimin e projektit dhe hetim penal për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone. Ata pretendojnë se bashkëpunimi mes qeverisë dhe AADF është shndërruar në një mekanizëm të maskuar për grabitje pasurish në zonën më të vlerësuar të qytetit bregdetar.
Përpjekjet për dialog me ambasadën amerikane dhe institucionet shqiptare kanë dështuar. “Na flasin për zhvillim, por po na marrin shtëpitë. Nuk është projekt urban, është skemë pronash,” – shprehen banorët.
Sot, “rikualifikimi” i Durrësit po shihet nga shumë qytetarë si një plagë e re urbane, ku në vend të zhvillimit po ndërtohet një precedent i rrezikshëm i abuzimit me pronën private dhe pushtetin vendor.