
Një parashutë fluturuese ushtarake godet turmën gjatë festës së Hënës së Plotë; dhjetëra viktima, mes tyre fëmijë.
Një sulm ajror i ushtrisë së Mianmarit ka lënë të paktën 40 persona të vrarë dhe rreth 80 të plagosur, pasi një parashutë fluturuese e motorizuar hodhi dy bomba mbi turmën që festonte festivalin tradicional të Thadingyut, në qytetin Chaung U, të hënën në mbrëmje.
Sipas dëshmitarëve dhe organizatorëve të ngjarjes, qindra qytetarë ishin mbledhur për të ndriçuar natën e Hënës së Plotë, një nga festat më të rëndësishme fetare të vendit, kur papritur mbi ta fluturoi një parashutër që hodhi bombat drejtpërdrejt në qendër të turmës.
“Fëmijët u copëtuan plotësisht. Edhe sot në mëngjes po mblidhnim pjesë trupash nga toka,” tha një grua që mori pjesë në ceremonitë mortore të së martës.
Një tjetër dëshmitar rrëfeu se njerëzit tentuan të largoheshin me panik, por shumë prej tyre u zunë në befasi.
“Ndërsa u thosha të mos vrapojnë, parashuta hodhi bombat. Dy shokë më vdiqën përpara syve të mi,” -tha ai, në kushte anonimiteti.
Ky ishte sulmi më i përgjakshëm i javëve të fundit në Mianmar, vend që ndodhet në luftë civile që prej grushtit të shtetit të vitit 2021, kur junta ushtarake përmbysi qeverinë demokratike të Aung San Suu Kyi.
Që atëherë, mijëra civilë janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur, ndërsa regjimi i gjeneralit Min Aung Hlaing vazhdon të përdorë bombardime dhe sulme tokësore për të shtypur grupet rebele dhe demonstratat civile
Në një deklaratë të fortë, Amnesty International dënoi aktin si një “thirrje e përgjakur për zgjimin e ndërgjegjes botërore”, duke theksuar se ushtria po përfiton nga mungesa e vëmendjes ndërkombëtare për të kryer krime lufte me pandëshkueshmëri.
Bota mund ta ketë harruar Mianmarin, por ushtria nuk ka harruar si të vrasë, deklaroi Joe Freeman, studiues i Amnesty për Mianmarin.
Ndërkohë që regjimi i juntës ka shpallur zgjedhje të përgjithshme për dhjetorin e këtij viti, kritikët i quajnë ato një farsë politike, pasi partia opozitare “National League for Democracy” është shpërbërë dhe luftime të ashpra vijojnë në më shumë se gjysmën e territorit të vendit.
Në mungesë të mediave të pavarura dhe nën censurë të plotë, vrasja e dhjetëra civilëve gjatë një feste fetare shënon një tjetër faqe të errët në historinë e një populli që, ndonëse i lodhur nga lufta, vazhdon të paguajë çmimin e lirisë me jetët e vetë njerëzve të tij.