Aktualitet Drejtësia Institucione Shqipëria

Hapja e kutive të votimit për Tiranën – anëtari i PD-së në KAS: Rinumërimi do të ndikojë në rezultat

Javën e ardhshme, në Parkun Olimpik do të hapen kutitë për rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës.

Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Ledio Braho, në një intervistë për RTSH sqaroi se arsyet që çuan në hapjen e kutive ishin provat e dorëzuara nga kandidatë të Partisë Demokratike, që tregonin se në një qendër votimi kishte tjetërsim votash.

Vota që ishin vetëm për partinë i kishin kaluar një kandidati, ndërkohë që nuk duhet të ishin për kandidatin. Nisur nga fakti që qarku i Tiranës është qarku më i madh në Shqipëri dhe është e vështirë t’i mbledhësh provat duke parë gjithë filmimet, dhe t’i mbështesësh çdo provë në vetvete, u mendua që të kërkohet këqyrja e të gjitha fletëve të votimit për qarkun e Tiranës” – tha z. Braho.

Ai sqaroi se nëse gjatë procesit do të dalin mos përputhje serioze, atëherë do të ketë pasoja për komisionerët apo për përfaqësuesit që kanë firmosur dokumentacionin.

Në qoftë se do të shihet që ka ndërhyrje të tilla, të cilat dukshëm nuk vijnë si pasojë e gabimeve njerëzore, patjetër që do të procedohet me kallëzime penale për grupet e numërimit përkatës,” tha anëtari i KAS-it.

Rinumërimi do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, pasi ai do të reflektohet në tabelën për qarkun e Tiranës.

Ky proces është i ndryshëm nga ai që bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas certifikimit të zgjedhjeve, që është thjesht për efekt transparence. Ka të bëjë edhe me faktin që mund të sjellë ndryshime në tabelën e rezultateve si për subjektet, si për kandidatët” – deklaroi z. Braho.

Deri më tani, është vendosur të hapen 1,282 kuti për qarkun e Tiranës dhe 44 për qarkun e Dibrës, ndërkohë që po shqyrtohen pretendimet edhe për qarqet e tjera.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *