
Zbulimi i tyre lejon mbledhjen e ujit nga ajri i shkretëtirës, kapjen e dioksidit të karbonit dhe krijimin e materialeve të personalizuara me funksione të reja.
Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka shpallur sot fituesit e Çmimit Nobel në Kimi për vitin 2025, duke vlerësuar tre shkencëtarë që kanë revolucionarizuar mënyrën se si ndërtohen materialet në nivel molekular: Susumu Kitagawa (Universiteti i Kiotos, Japoni), Richard Robson (Universiteti i Melburnit, Australi) dhe Omar M. Yaghi (Universiteti i Berkeley, SHBA).
Treshja fitoi çmimin për zhvillimin e kornizave metal-organike (Metal-Organic Frameworks – MOF), struktura mikroskopike që krijojnë hapësira të mëdha brenda molekulave, nëpër të cilat mund të rrjedhin gaze ose kimikate. Sipas komitetit të Nobelit, këto struktura mund të përdoren për mbledhjen e ujit nga ajri i thatë i shkretëtirave, kapjen e CO₂ nga atmosfera, magazinimin e gazeve toksike, apo edhe katalizimin e reaksioneve kimike.
“Kornizat metal-organike kanë potencial të jashtëzakonshëm, duke sjellë mundësi të papara më parë për materiale të krijuara sipas porosisë me funksione të reja,” – tha Heiner Linke, kryetar i Komitetit të Nobelit për Kiminë, gjatë shpalljes në Stokholm.
MOF janë parë si një nga arritjet më të mëdha të kimisë moderne për shkak të ndikimit të tyre të drejtpërdrejtë në energjinë e pastër, ruajtjen e mjedisit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Vitin e kaluar, Çmimi Nobel në Kimi 2024 iu dha David Baker, Demis Hassabis dhe John Jumper, për zbulimin e teknikave që përdorin inteligjencën artificiale në dizajnin e proteinave, një tjetër hap gjigant në ndërthurjen e shkencës me teknologjinë.
Me këtë vlerësim, Kitagawa, Robson dhe Yaghi vendosen në panteonin e shkencëtarëve që po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si njerëzimi ndërvepron me natyrën, duke e kthyer ajrin e thatë në ujë, ndotjen në energji dhe kimikën në shpresë.